Eko Klubi “Gjon Buzuku” realizon projektin mjedisor
EC Ma Ndryshe ka përuruar projektin mjedisor të radhës në gjimnazin "Gjon Buzuku" në Prizren. Me anë të këtij projekti të iniciuar nga Eko Klubi është rritur efiçienca e energjisë së shkollës me vendosjen e gjashtë paneleve solare me kapacitet 3.3 kWp.
Në kuadër të këtij projekti në oborrin e kësaj shkolle të mesme të lartë janë mbjellë edhe pisha dhe bimë shumëvjeçare, pastaj është vendosur një parking për biçikleta si dhe shporta për ndarjen e mbeturinave, të gjitha këto me qëllimin për të përmirësuar mjedisin dhe kushtet për komunitetin shkollor.
Projekti mjedisor i Eko Klubit është realizuar në kuadër të projektit "Ndikimi i Rinisë në Mjedis" - YENI të Caritas-it Zviceran dhe implementohet me mbështetje të OJQ “EC Ma Ndryshe”. Projekti përkrahet financiarisht nga Caritas-i Zviceran, Ministria e Zhvillimit Rajonal, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, si dhe Komuna e Prizrenit.