EC realizon intervenimet artistike “Mbroj dhe promovo”

Mbrojtja e të drejtave të njeriut bashkë me promovimin e diversitetit kulturor dhe të trashëgimisë së pasur të Prizrenit janë porositë që përçohen në intervenimet artistike të titulluara “Mbroj dhe promovo”, të realizuara nga EC Ma Ndryshe.


Këto intervenime janë realizuar në dy pjesë, në oxhakun si dhe në derën e depos pas ‘Shtëpisë së Bardhë’, hapësira këto që deri më tani nuk kanë pas ndonjë pamje të lakmueshme, si përpjekje e radhës për të sjellë dinamikë më pozitive te objektet e hapësirat publike, në mënyrë që ato të komunikojnë më afër me komunitetin përreth.


EC përmes këtyre aktiviteteve synon të sjellë në qendër të vëmendjes faktin se angazhimi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut është thelbësor për jetesë me dinjitet në një shoqëri demokratike, përderisa diversiteti kulturor si akt i gjithëpërfshirjes përqafon gjithë pjesëtarët e shoqërisë dhe vlerat e tyre, e cila në Prizren manifestohet edhe me monumente të shumta kulturore që duhet të ruhen për brezat e ardhshëm.


Prandaj, në këto murale përmes siluetave janë ilustruar monumentet kryesore të qytetit, si dhe artefaktet e ndryshme që i takojnë rajonit të Prizrenit.

Rrjetëzimi