EC Ma Ndryshe nxit llogaridhënien e Komunës së Prizrenit rreth realizimit të zotimeve parazgjedhore





EC Ma Ndryshe ka organizuar diskutimin publik për prezantimin e zbatimit të “Kartës së Zotimeve” të nënshkruar nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, gjatë fushatës zgjedhore në vitin 2021.
Nënkryetari i Komunës, Kujtim Gashi ka prezantuar përpjekjet e qeverisë komunale për përmbushjen e zotimeve paraelektorale, duke theksuar se shumica dërmuese janë në proces të realizimit, teksa ka veçuar kryerjen e studimit të fizibilitetit për zgjidhjen e çështjes së ujit të pijes, nisjen e intervenimeve në ndriçimin publik pas përmbylljes së procedurave të prokurimit, jetësimin e projektit kapital për rehabilitimin e infrastrukturës në Qendrën Historike të Prizrenit dhe të tjera.
Në të njëjtën kohë ka vlerësuar se kjo iniciativë ndikon drejtpërdrejt në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile, në të mirë të qytetarëve të Komunës së Prizrenit.
Në anën tjetër edhe përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile kanë pasur rastin që me zyrtarin e lartë të diskutojnë rreth sfidave për realizimin e shumicës së zotimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore.
Monitorimi i përmbushjes së zotimeve zgjedhore të kryetarëve të komunave është iniciativë e nëntë organizatave të shoqërisë civile në Kosovë, që veprojnë në kuadër të koalicionit “Aleanca për Qytetari Aktive”.