EC Ma Ndryshe me nismën e re “One Wish For My Street” fillon mbledhjen e kërkesave të banorëve të lagjeve të Prizrenit

EC Ma Ndryshe ka filluar zbatimin e një nisme të re të quajtur “One Wish For My Street” (“Një dëshirë për rrugën time”), e cila tani e tutje do të realizohet në baza të rregullta. Qëllimi i kësaj nisme është që përmes aktiviteteve interaktive me banorët të grumbullohen kërkesat, shqetësimet dhe nevojat reale të komuniteteve në vendbanimet e tyre.


Në hapje të kësaj nisme, aktiviteti u zhvillua me qytetarët e lagjes “Ortakoll” në Prizren, përfshirë rrugët “Ali Hadri”, “Alush Kryeziu” dhe “Bekim Berisha-Abeja”. Përmes hartës së lagjes dhe metodave interaktive, banorët patën mundësinë të shprehin komentet dhe dëshirat e tyre lidhur me sfidat e përditshme në komunitet.


Në takimet spontane me kalimtarët morën pjesë nxënës, të rinj, gra dhe pensionistë, të cilët evidentuan problemet kryesore. Ndër shqetësimet më të përmendura ishte mungesa e parkingjeve, ndriçimi i pamjaftueshëm publik, nevoja për shtigje të sigurta për biçikleta, vendkalime shtesë për këmbësorët, mbeturinat dhe prania e qenve endacakë. Një nga kërkesat specifike lidhej edhe me nevojën për zëvendësimin e gypave të ujësjellësit nga azbesti në plastikë.


Të gjitha shqetësimet dhe kërkesat e mbledhura do t’i dërgohen institucioneve përkatëse, me qëllim adresimin e tyre dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në lagjen “Ortakoll”.


Kjo nismë synon të forcojë lidhjen mes qytetarëve dhe komunitetit, duke i dhënë zë kërkesave të banorëve dhe duke ndihmuar në ndërtimin e një qyteti më gjithëpërfshirës.


Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Public Spaces 4 All", të zbatuar nga EC Ma Ndryshe, me mbështetje nga Qeveria Gjermane dhe Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), përmes GIZ Kosova.

Rrjetëzimi