E drejta e komunitetit për përfshirje në dizajnimin e hapësirave publike pret zbatimin nga institucionet

Qytetarët kanë të drejtë që të marrin pjesë në planifikimin dhe dizajnimin e hapësirave publike në komunitetin ku jetojnë, duke qenë se ata përditë duhet të përballen me ndikimet e çfarëdo zhvillimi në lagjet apo qytetet e tyre. Në këtë drejtim ata duhet të përfshihen që nga fazat e hershme në këto procese ashtu që projektet e realizuara të kenë qëndrueshmëri, por edhe të promovojnë drejtësi e gjithëpërfshirje.

Në vendet perëndimore gjerësisht është e njohur dhe e pranuar se qytetarët kanë nevojë për më shumë të drejtë fjale në formësimin e qyteteve, gjë që tashmë shihet edhe si një kusht themelor i demokracisë lokale. Pjesëmarrja e publikut është e ndërlidhur me demokracinë, ku qeveritë dhe qytetarët punojnë së bashku për politika më të mira publike.

Pjesëmarrja publike, siç është artikuluar e argumentuar shumë herë në publikimet e organizatave të shoqërisë civile,  është proces gjatë të cilit qytetarët dhe organizatat me bazë në komunitet përfshihen në vendimmarrje, në identifikimin e problemeve si dhe mundësive për zhvillim. Aty theksohet se si e drejta për pjesëmarrje shtrohet si e drejtë themelore e qytetarëve në formësimin e hapësirës urbane, duke vendosur qytetarin në qendër, si shfrytëzues i shërbimeve urbane dhe si ndërtues i jetës sociale në qytet. Madje ky vizion i Lefebvres është integruar në kuadër të agjendës globale për të drejtat e njeriut nga agjencitë e OKB-së, me qëllim që të stimulojë politika urbane që promovojnë drejtësi, qëndrueshmëri dhe gjithëpërfshirje në qytete (Purcel, 2002). Për më tepër ky koncept është artikuluar edhe në karta ndërkombëtare për qytetin, të cilat sot shërbejnë si pika referimi për zhvillimin e qëndrueshëm urban. 

Institucionet e Kosovës në aspektin e legjislacionit kanë përqafuar praktikat e vendeve demokratike. Por në terren ka munguar zbatimi i duhur i dispozitave ligjore. Në këtë pikëpamje përjashtim nuk bëjnë as hapësirat publike, të cilat shpesh herë nuk e kanë marrë vëmendjen e duhur nga institucionet përgjegjëse, sidomos kur bëhet fjalë për përfshirjen e duhur të qytetarëve në planifikim dhe vendimmarrjen për to. Në publikimet e mëhershme të UN Habitatit konfirmohet se hapësirat publike në Kosovë përballet me sfida, për shkak të: konsideratës së kufizuar për hapësirën publike në përgjithësi, hapësirat e trashëguara që kanë nevojë për intervenim e ripërshtatje, rritjes së trafikut dhe nevojave për parkingje, uzurpimeve, mungesës së fondeve publike, mungesës së bashkërendimit me palët e interesit dhe mungesës së strategjive të mirëmbajtjes së tyre.

Hapësirat publike të mira janë ato vende ku mbahen festime, ndodhin shkëmbime shoqërore e ekonomike, ku miqtë takohen dhe ku kulturat përzihen. Bazuar në vlerësimin e mijëra hapësirave publike në botë, Projekti për Hapësirat Publike (Project for Public Spaces - PPS) ka zbuluar se hapësirat publike për të qenë të suksesshme duhet të kenë katër cilësi: të jenë të qasshme; njerëzit aty të jenë të angazhuar në aktivitete; të jenë të rehatshme dhe me imazh të mirë; si dhe të jenë vende të duhura për shoqërim. Hulumtimet e realizuara nga EC Ma Ndryshe kanë treguar se në disa qytete të Kosovës hapësirat publike nuk i plotësojnë këto katër cilësi, ndërkohë që qasja për Personat me Aftësi të Kufizuara dhe grupet tjera të komunitetit mbetet ndër sfidat parësore.

Komunat në Kosovë përgjatë vitesh kanë treguar se në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare apo edhe vendore mund të angazhohen në mënyrë të duhur për planifikimin e dizajnimin e hapësirave të caktuara publike. Madje në vitin 2021 UN-Habitat fitoi çmimin e parë në kategorinë e inovacionit në Konkursin për Dizajn Urban 2021 (Urban Design Awards), për projektin e zabtuar në bashkëpunim me Fondacionin Block-by-Block dhe Komunën e Prishtinës, që u fokusua në hapësirën e ish-tregut të gjelbër në Kodrën e Diellit.

Por këto praktika të mira ende nuk po aplikohen si metodologji e punës së përditshme të institucioneve lokale. Monitorimi i organizatave të shoqërisë civile ka gjetur se akoma ka projekte që hartohen pa aplikimin e parimeve të gjithëpërfshirjes, ndërkohë që nuk ka as konsultime për to nga fazat e hershme. Kjo qasje duhet të ndryshojë në mënyrë që të aplikohen praktika demokratike të mira që mundësojnë realizimin e një komunikimi më të afërt e më të shëndoshë të qytetarëve me organet komunale dhe anasjelltas, të cilat hapa jo domosdo janë të përshkruara apo detajuara në legjislacion. E gjithë kjo duhet të jetë në funksion në mënyrë që gjatë planifikimit dhe zbatimit të projekteve të garantohet gjithëpërfshirje, drejtësia, barazia dhe dialogu i frytshëm social. Nuk duhet harruar se qasja ndaj demokracisë e cila përqendrohet tek qytetarët kërkon përfshirjen e të gjithë hisedarëve në proceset demokratike, vendimmarrje dhe zgjidhje, pasi kjo qasje jep një ndjenjë të angazhimit, fuqizimit dhe përgjegjësisë edhe për qytetarët.

Rrjetëzimi