Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport sërish i ndanë subvencionet në mënyrë jo transparente

Komuna e Prizrenit me datën 18.11.2022 ka publikuar listën përfundimtare të përfituesve të subvencioneve nga thirrja e DKRS-së, në kategorinë e kulturës, rinisë dhe sportit. Në vendimet përfundimtare të DKRS-së për subvencionimin e OJQ-ve, përsëri figurojnë vetëm titujt e projekteve dhe përfituesit.


EC Ma Ndryshe edhe viteve të kaluara ka reaguar për jo transparencë gjatë publikimit të listave përfundimtare të përfituesve dhe ka kërkuar nga DKRS-ja që krahas titullit të projektit dhe emrit të përfituesit të përfshijë edhe informatat si në vijim:
-Kriteret e vlerësimit, në bazë të cilave janë përzgjedhur përfituesit;
-Listën e anëtarëve të komisioneve;
-Shuma financiare e aplikuar me projekt nga organizata/shoqata;
-Shuma financiare e përkrahur nga DKRS;
-Përshkrimin e shkurtër të projektit dhe rezultatet e pritura;


EC konsideron se me publikimin e këtyre informatave dhe dokumenteve, drejtoritë komunale do të tregonin transparencë dhe llogaridhënie, duke dhënë shembull për praktika të mira të qeverisjes. Gjithashtu përkujton se si Raporti i fundit i BE-së për Kosovën ka vlerësuar se nevojiten përpjekje për të rritur transparencën e financimit publik për organizatat e shoqërisë civile (OSHC).
Duhet cekur se në fushatën e fundit parazgjedhore, dy nga premtimet më të theksuara të kryetarit aktual kanë qenë transparenca dhe llogaridhënia para qytetarëve, që tani duhet të gjejë zbatim edhe në praktikë.


Ndërkaq praktika e njëjtë e ndarjes jo-transparente të subvencioneve bie ndesh me parimet themelore të qeverisjes transparente dhe po ashtu nuk përputhet me përpjekjet për promovimin e standardeve të qeverisjes së mirë.
Prandaj, EC edhe njëherë i bën thirrje Komunës së Prizrenit që t’i rishqyrtojë këto veprime dhe të angazhohet për zbatimin e praktikave më të mira të qeverisjes, pasi që mospërfillja e këtyre kërkesave krijon hapësirë për dyshime për keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e parasë publike.

Rrjetëzimi