Dollama, një pasuri kulturore e Kosovës

Materialet për punimin e “dollamave” (veshjeve tradicionale për nuse të punuara me dorë) janë shpërndarë për përfitueset që janë treguar më të suksesshme gjatë aftësimit të realizuar në ciklin e parë dhe të dytë të trajnimeve.


Drejtori ekzekutiv i EC Ma Ndryshe z. Valon Xhabali ka pohuar se në kuadër të projektit “Dollama, një pasuri kulturore e Kosovës” janë organizuar dy trajnime me gjithsejtë 24 gra dhe vajza pjesëmarrëse nga komunitetet e ndryshme, me ç’rast 4 pjesëmarrëset më të suksesshme do të përfitonin materiale për punimin e dollamave. Sipas tij, në fund të trajnimeve, në koordinim me donatorin, është vendosur që të përzgjidhen 6 pjesëmarrëse më të suksesshme, të cilat kanë përfituar pajisjet dhe materialin për fillimin e punës për qepjen e dollamave, të cilat edhe mund të shiten. Xhabali ka sqaruar se në qoftë se vazhdon ky projekt atëherë pjesëmarrëset më të suksesshme do të ftohen në cilësinë e ndihmës trajnerëve.


Një tjetër vlerë e shtuar e projektit, sipas tij, është krijimi i platformës online që do të shërbejë si urëlidhëse për shitjen e produkteve, ku do të prezantohen punimet e grave pjesëmarrëse dhe informatat tjera relevante. “Platforma do të jetë një lloj dyqani online/startup, që do të promovohet më tutje, me qëllim të lehtësimit të kontaktit me klientët potencial në të ardhmen”, ka thënë Xhabali.


Trajneret, znj. Sebahate Kabashi dhe znj. Zejxhan Celina kanë vlerësuar pjesëmarrëset për interesimin dhe përkushtimin gjatë trajnimeve, me ç’rast sipas tyre puna cilësore e kryer e ka bërë të vështirë përzgjedhjen e gjashtë përfitueseve. Ato kanë njoftuar se përzgjedhja është bërë bazuar në disa kritere, si punimet me më shumë detaje, më precize, më të pastra, etj. Sipas tyre të gjitha gratë do të pajisen me certifikata të trajnimit kur të mbahet konferenca përmbyllëse e projektit. Gjithashtu ato kanë shprehur mirënjohje për EC Ma Ndryshe, UNDP dhe Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë për inicimin dhe mbështetjen e dhënë për aktivitetet e tilla falë së cilës pjesëmarrëseve po u mundësohet një potencial i ri i punës nëpërmjet kontribuimit në vazhdimin e kësaj zeje tradicionale.


Pjesëmarrëset e trajnimit kanë vlerësuar angazhimin e EC-it në realizimin e këtij projekti, që sipas tyre është i qëlluar dhe njëherësh kanë kërkuar vazhdimin e tij, me qëllim që të krijohet mundësia për aftësimin e grave tjera, e sidomos nënave vetushqyese. Disa prej pjesëmarrëseve kanë theksuar se tashmë i kanë pranuar porositë dhe se po punojnë në shtëpi, derisa disa tjera kanë gjetur angazhim në bizneset ekzistuese.

Rrjetëzimi