Diskriminimi gjinor në drejtimin dhe emërtimin e shkollave në 7 komuna
Barazia gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë garantohet me kornizën ligjore të Republikës së Kosovës. Legjislacioni vendor gjithashtu përcakton masat e përgjithshme dhe të veçanta për mbrojtjen dhe sigurimin e të drejtave të barabarta të grave dhe burrave. Mirëpo, përfaqësimi i barabartë gjinor në institucione është ende larg nga 50 përqindëshi i paraparë me Ligjin për Barazi Gjinore.
Hulumtimi i realizuar nga EC Ma Ndryshe në 7 komunat e mëdha të Kosovës, tregon se aspekti i barazisë gjinore nuk përfillet në menaxhimin e shkollave e aq më pak në emërtimin e tyre.
Sipas të dhënave të hulumtimit, në Komunën e Prishtinës nga 53 drejtorë/drejtoresha shkollash, 33 janë burra dhe 20 janë gra, apo 62.3 % me 37.7%.
Në Komunën e Prizrenit nga 58 drejtorë/drejtoresha shkollash, 48 janë burra dhe 10 gra, apo 82.8% me 17.2%.
Në Komunën e Pejës nga 33 drejtorë/drejtoresha shkollash, 23 janë burra dhe 10 janë gra, apo 69.7% me 30.3%.
Në Komunën e Ferizajt nga 47 drejtorë/drejtoresha shkollash, 31 janë burra dhe 16 janë gra, apo 66% me 34%.
Në Komunën e Gjilanit nga 32 drejtorë/drejtoresha shkollash, 30 janë burra dhe 2 janë gra, apo 93.8% me 6.3%.
Në Komunën e Gjakovës nga 47 drejtorë/drejtoresha shkollash, 42 janë burra dhe 5 janë gra, apo 89.4% me 10.6%.
Në Komunën e Mitrovicës së Jugut nga 32 drejtorë/drejtoresha shkollash, 22 janë burra dhe 10 janë gra, apo 68.8% me 31.3%.
Ndërsa raporti gjinor i emërtimit të shkollave në 7 komunat e mëdha të Kosovës është edhe më i thellë, pasi që vetëm 3.5% të shkollave në këto komuna mbajnë emra të grave.
EC Ma Ndryshe përkujton se dispozitat e Ligjit për Barazi Gjinore obligojnë organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore në të gjitha nivelet, si dhe institucionet tjera publike, që të miratojnë dhe zbatojnë masa të veçanta për të arritur përfaqësimin e gjinisë më pak të përfaqësuar, deri në arritjen e përfaqësimit të barabartë të grave dhe burrave sipas këtij ligji. “Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej 50% për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse”.
Ndërsa te masat e përgjithshme për parandalimin e diskriminimit gjinor si dhe sigurimin e barazisë gjinore, Ligji parasheh që institucionet të marrin parasysh çështjen e barazisë gjinore edhe në rastin e emërtimit të shkollave.
Sikurse në rastin e emërtimit të rrugëve, EC Ma Ndryshe rekomandon autoritetet dhe organet komunale që aspektin e barazisë gjinore ta kenë parasysh gjithmonë, në çdo vendimmarrje, ashtu që të shmanget çfarëdo lloj diskriminimi. Gjithashtu i bën thirrje që ti zbatojnë masat e përgjithshme dhe të veçanta për mbrojtjen dhe sigurimin e të drejtave të barabarta të grave dhe burrave.
Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile KCSF ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida).