Degradimi i pariparueshëm i lumit Drini i Bardhë nga eksploatimi i paligjshëm i inerteve

Lumi Drini i Bardhë, si pasuri natyrore e çmuar, përgjatë viteve ka pësuar degradim të pandalshëm për shkak të eksploatimit të paligjshëm të inerteve dhe mungesës së reagimit efikas nga institucionet përgjegjëse.

Madje pas aksionit të fundit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit dhe Njësitit të Hetimeve për Krime Mjedisore në rrjedhën e Drinit të Bardhë, prej Landovicës deri në Krushë të Vogël, kryeprokurori i kësaj prokurorie, Petrit Kryeziu ka shprehur bindjen se dëmet e shkaktuara nga nxjerrja e paligjshme e inerteve janë pothuajse të pariparueshme.

Me këtë rast ai ka vlerësuar se nevojitet një aktivitet më i madh nga inspektorët përgjegjës, marrë parasysh faktin se mbrojtja e mjedisit është detyra e tyre primare.

Monitorimi nga EC Ma Ndryshe i sektorit të mjedisit në administratën qendrore dhe atë lokale (https://www.ecmandryshe.org/sq/publikimet) konfirmon se e gjithë kjo po ndodh përballë një sistemi të inspektimit që ka mungesë të theksuar të burimeve njerëzore, transparencë të ulët në raportim si dhe një qasje më shumë reaktive sesa parandaluese.

Në raportin e fundit të monitorimit të administratës qendrore figuron se Departamenti për Inspektimin të Mjedisit, Natyrës, Ujërave, Ndërtimit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPHI) ka mungesë stafi, ndërkohë që është konfirmuar edhe se ka raste të çrregullimeve mjedisore nga aktivitetet ilegale të personave fizikë dhe juridikë, përfshirë eksploatimin ilegal të inerteve të lumenjve.

Edhe Raporti i BE-së për Kosovën (https://kryeministri.rks-gov.net/wp-content/uploads/2024/12/Kosovo-2024-Report-SQ.pdf) pohon se kapacitetet e autoriteteve mjedisore si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal për të zbatuar dhe fuqizuar acquis mjedisor janë ende shumë të kufizuara, gjë që pengon
seriozisht progresin në këtë sektor, derisa reformat strukturore vazhdojnë të vonohen.

“Kapacitetet e institucioneve kyçe si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal, ndërmarrjeve publike dhe autoriteteve të menaxhimit të pellgjeve lumore mbesin të ulëta dhe kanë nevojë për fuqizim të mëtejshëm”, thuhet në këtë raport.

Degradimi i lumit Drini i Bardhë në rrjedhën e sipërpërmendur ka ndodhur në kundërshtim me vendimin e Qeverisë së Kosovës të miratuar para më shumë se një dekade për ndalimin e eksploatimit të inerteve nga lumenjtë, sikurse edhe me deklarimet publike të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) për “zero tolerancë ndaj degraduesve të lumenjve” dhe angazhimet e Task Forcës së Gjelbër kundër krimeve mjedisore.
Pavarësisht zotimeve të shprehura gjendja në terren ka krijuar një realitet krejt tjetër me eksploatim ilegal, shkatërrim të shtratit, devijim të rrjedhës, hapje të gropave të mëdha, si dhe ndotje e zhdukje të biodiversitetit.

Degradimi i Drinit të Bardhë dëmton rëndë ekosistemin: heqja e zhavorrit, ndotja dhe ndërhyrjet në shtrat rrënojnë ligatinat dhe pyjet riparianë, duke humbur habitate kyçe. Uji i ndotur ul oksigjenin dhe akumulon toksina, gjë që pakëson peshqit dhe organizmat e tjerë ujorë, ndërsa fragmentimi i brigjeve pengon lëvizjen e faunës dhe zvogëlon diversitetin gjenetik. Rënia e biodiversitetit dobëson funksionet natyrore të lumit, si filtrimi i ujit dhe mbrojtja nga erozioni, dhe prek drejtpërdrejt jetesën e komuniteteve që varen nga bujqësia, peshkimi dhe turizmi. Për të shmangur këto pasoja, nevojiten masa të menjëhershme për menaxhim të qëndrueshëm dhe restaurim të zonave të dëmtuara.

Raporti i AMMK-së mbi ndikimin e shfrytëzuesve të rërës dhe zhavorit
në gjendjen mjedisore të lumenjve (https://ammk-rks.net/assets/cms/uploads/files/Raporti%20per%20gjendjen%20e%20lumenjeve%202022%20(alb).pdf) thekson se lumenjtë janë shfrytëzuar dhe ndotur pa ndonjë kriter të lejueshëm ligjor.

Aty thuhet se pothuajse, në çdo pellg lumor ka degradim, me theks të veçantë në Pellgun e Drinit të Bardhë. Tutje nënvizohet se format e shfrytëzimit të inerteve dhe rehabilitimit të sipërfaqeve të degraduara janë jashtë çdo standardi të zhvillimit të qëndrueshëm apo edhe të mundësisë së rehabilitimit natyror vetvetiu të lumenjve.

“Shfrytëzimi i inerteve të lumenjve ka kaluar të gjitha limitet e mundësisë natyrore që lumenjtë të kthehen në gjendjen e mëparshme”, shkruan aty.

Format më të shpeshta të degradimit sipas raportit janë përcjellë me pasojat si:
• Ulja e lartësisë së shtratit të lumit
• Zgjerimi i shtretërve
• Ndryshimi i rrjedhës së ujërave
• Dëmtimi i substratit të florës përgjatë brigjeve të lumenjve
• Hapja e gropave të mëdha nga eksploatimi i inerteve
• Dëmtimi i substratit të florës dhe arealit të faunës
• Dëmtimin e ekosistemit të lumit, etj.

Përveç pasojave ekologjike, degradimi i Drinit të Bardhë ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetesën e komuniteteve përgjatë këtij lumi, të cilat varen nga bujqësia, peshkimi dhe zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm. Për më tepër, humbja e biodiversitetit e dobëson funksionin natyror të lumit për filtrimin e ujit, për mbrojtje nga erozioni dhe për ruajtjen e balancave natyrore.

Për këto arsye nevojitet zbatimi i menjëhershëm dhe i pakushtëzuar i Planit për Menaxhimin e Pellgut Lumor të Drinit të Bardhë, me theks në ndalimin e eksploatimit të inerteve dhe restaurimin e zonave të dëmtuara, sikurse edhe rritja e transparencës në këtë aspekt.

Gjithashtu duhet raportim transparent dhe të detajuar nga MMPHI dhe agjencitë përkatëse shtetërore mbi rastet konkrete të degradimit, me statistika dhe vendndodhje të sakta.

Rritja e kapaciteteve njerëzore dhe teknike të inspektoratit është e domosdoshme bashkë me zhvillimin e mekanizmave të bashkëpunimit me komunat dhe organizatat e shoqërisë civile për monitorim të përbashkët.
Por edhe ndjekje penale sipas dispozitave ligjore për të gjithë eksploatuesit ilegalë, sikurse edhe zbatim adekuat të politikave ndëshkimore për degradimin e mjedisit.

E ardhmja e Drinit të Bardhë nuk mund të lihet në mëshirë të heshtjes institucionale dhe interesave të paligjshme. Ruajtja e tij është përgjegjësi kolektive dhe obligim i pashmangshëm ndaj brezave të ardhshëm.

Rrjetëzimi