Çelësi i sigurisë është në duart e tua!
Sot në qytetin e Pejës është realizuar kampanja vetëdijesuese e cila synon të shërbejë si thirrje për shtim të kujdesit në trafik dhe mënjanim të aksidenteve, ide kjo e nisur dhe realizuar nga të rinjtë e komunës së Pejës, pjesëmarrës të “Shkollës për Aftësimin e të Rinjve për Aktivizëm në Komunitet”. Si shqetësim për nxënësit ka dalur pasiguria e madhe në trafik dhe numri i madh i aksidenteve, prandaj për këtë arsye këta pjesëmarrës kanë vendosur që të fillojnë një aksion i cili tenton të shtojë vëmendjen tek çështja e sigurisë në komunikacion.
Të rinjtë e Pejës dhe stafi i OJQ EC Ma Ndryshe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Qendrën Rinore Inovative të Pejës në kuadër të iniciativës “Çelësi i sigurisë është në duart e tua!”, kanë bërë sot shpërndarjen e fletushkave nëpër qendër të këtij qyteti, me statistikat e aksidenteve të vitit 2018 duke përfshirë të gjitha komunat e Kosovës si dhe sloganet “Vozitja jote e shpejtë mund të jetë vozitja jote e fundit” dhe “Aksidentet nuk ndodhin aksidentalisht”. Shifrat e dalura nga të dhënat statistikore të cilat janë siguruar nga Policia e Kosovës janë mjaft shqetësuese. Vetëm gjatë vitit 2018 në tërë Kosovën (shih posterin për komunat) kanë ndodhur gjithsej 15741 aksidente nga të cilat 100 ishin aksidente fatale me 128 persona të vdekur. Në anën tjetër aksidente që kishin përfunduar me lëndime ishin gjithsej 6217 nga të cilat të lënduar mbetën 12360 persona, kurse numri i aksidenteve që kanë përfunduar vetëm me dëme materiale është 9424.
Pas shpërndarjes së këtyre fletushkave që përmbajnë statistikat e lartcekura, Policia e Kosovës me përfaqësuesit z. Xhemajl Zekaj, z. Avni Selmanaj, znj. Merlinda Shala i është përgjigjur pyetjeve të të pranishmëve. Përfaqësuesit e Policisë së Kosovës e mirëpritën iniciativën të cilën e kanë ndërmarrë të rinjtë dhe potencuan që numri i aksidenteve është mjaft shqetësues dhe ka nevojë për fushata të tilla vetëdijesuese. Për më tepër Rreshter Xhemajl Zeka tregoi që gjatë vitit 2018 Policia e Kosovës ka realizuar tri kampanja me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik dhe do të vazhdojë me aktivitete të tilla.
Kjo kampanjë është thirrja e radhës për vozitësit që të shtojnë kujdesin në trafik duke repektuar rregullat e komunikacionit, të vendosin rripin e sigurisë dhe ta përshtasin shpejtësinë sipas shenjave të urdhërave të prera në mënyrë që të sigurojnë veten dhe të mos rrezikojnë askë në trafik. Ky aktivitet njëkohësisht shërben edhe si një thirrje ndaj institucioneve që të vazhdojnë të ndërmarrin hapa konkret në shtimin e sigurisë në komunikacion.
Ky grant është financuar nga projekti ‘Përkrahja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).