Banorët e rrugëve “Wesley Clark” dhe “Tirana” kërkojnë më shumë hapësira publike

EC Ma Ndryshe ka zhvilluar një takim me banorët e rrugëve “Wesley Clark” dhe “Tirana” në Prizren, në kuadër të projektit “Public Spaces 4 All”.
Në takim, ku morën pjesë edhe zyrtarët e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, banorët ngritën shqetësimet e tyre për mungesën e këndeve të lojërave për fëmijë, shtigjeve për biçikleta, gjelbërimit dhe hapësirave të përshtatshme për të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara.
Banorët diskutuan gjithashtu për menaxhimin e hapësirave ndërmjet “Infrakos”-it dhe Komunës së Prizrenit dhe nevojën për më shumë transparencë dhe informim të komunitetit.
Shqetësim tjetër mbetet edhe statusi i paqartë i rrugës ndihmëse, nëse e njëjta është shëtirore dhe ku vozitja e papërgjegjshme herë pas here mund të rrezikojë sigurinë e qytetarëve. Gjatë takimit u ngritën edhe problemet me qentë endacakë.
Zyrtarët e DSHP-së dhanë sqarime për çështjet brenda përgjegjësive të tyre dhe u zotuan se do t’i informojnë sektorët përkatës për çështjet e tjera.
Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit ‘Public Spaces 4 All’, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe, me mbështetje nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), përmes GIZ Kosova.



