Banorët e lagjes “Bajram Curri” në Prizren paraqesin propozimet për përmirësim urban

Banorët e lagjes “Bajram Curri” në Prizren kanë paraqitur kërkesat dhe nevojat e tyre gjatë një takimi të organizuar nga EC Ma Ndryshe me praninë e zyrtarëve komunalë nga Drejtoria e Shërbimeve Publike – Sektori i Mjedisit.
Gjatë diskutimeve, banorët, përfshirë kryetarin e lagjes dhe drejtoreshën e IAAP “Ymer Prizreni” kanë vënë në pah problemet e përditshme të këtij lokaliteti kryesisht rreth rrugës që frekuentohet nga nxënësit e disa shkollave duke filluar nga furnizimi i pamjaftueshëm me ujë në IAAP "Ymer Prizreni", nevojën për vendosjen e kamerave vëzhguese të sigurisë dhe mirëmbajtjen e rregullt të ndriçimit publik për sigurinë publike, e deri te trotuaret e zaptuara, parkingjet ilegale e intervenimet në infrastrukturë dhe krijimin e hapësirave të gjelbra.
Krahas kërkesave janë propozuar edhe disa zgjidhje praktike, ndërkohë që zyrtarët komunalë kanë shprehur qëndrimin se kërkesat do të shqyrtohen bashkë me institucionet përkatëse për të ofruar zgjidhje brenda mundësive buxhetore.
Pas diskutimit është realizuar edhe shëtitja e përbashkët në lagje, ku janë eksploruar nga afër çështjet e cekura, duke vëzhguar pengesat dhe mundësitë në terren.
Takimet e tilla do të vijojnë edhe në lagjet tjera të Prizrenit.
Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Public Spaces 4 All’, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe, me mbështetje nga Qeveria Gjermane dhe Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), përmes GIZ Kosova.



