Aktivizmi në Komunitet 5
Është mbajtur cikli i pestë i Shkollës për aftësimin e të rinjve për aktivizëm në komunitet në kuadër të projektit ‘AktRural’. Shkolla është ndërtuar në tre module dhe është dizajnuar në atë mënyrë që t’i ofrojë pjesëmarrësve një përvojë unike disa mujore të aplikimit të dijeve të fituara në praktikë, nën mbikëqyrjen dhe asistencën e mentorëve me përvojë në aktivizëm dhe mobilizim të komunitetit.
Në modulin e parë të këtij cikli 27 të rinjë nga komuna e Prishtinës, Podujevës dhe Fushë Kosovës janë informuar mbi teknikat e aktivizmit dhe metodat e mobilizimit. Para këtyre të rinjve nga Mirishahe Syla është trajtuar tema "Nga aktivizmi individual në atë global: Përgjigja e të rinjve kundrejt ndryshimeve klimatike” ", ndërsa tema tjetër e elaboruar nga Flaka Xërxa Beiqiri ishte “Roli i të rinjve në planifikim – aktivizmi dhe gjithëpërfshirja” kurse në ditën e fundit u trajtua tema “Aktivizmi i të rinjve në kontekst të mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore” nga Enes Toska.
Në këtë shkollë pjesëmarrësit janë asistuar nga mentorët në përpunimin e ideve fillestare për aktivizëm në komunitet. Në modulin vijues idetë e përzgjedhura të aktivizmit do të vihen në praktikë ndërkohë që në modulin e tretë dhe të fundit do të punohet mbi qëndrueshmërinë e tyre.
Organizimi i kësaj shkolle financohet nga projekti ‘Përkrahja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).