Mbledhjet e ekzekutivit të Prizrenit hapen për mediat e OJQ-të
Dy javë më parë, organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” pati shprehur pakënaqësinë lidhur me pamundësinë e mediave, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve për të marrë pjesë në takimet e qeverisë lokale. Madje, pati konsideruar se mbyllja e tillë është pengesë direkte ndaj punës së këtyre akterëve, sidomos mediave, të cilët kanë për qëllim rritjen e informimit publik.
Eroll Shabani nga “EC Ma Ndryshe” të martën ka vlerësuar se hapja e takimeve të qeverisë lokale është hap i rëndësishëm sa u përket transparencës dhe respektimit të zotimeve të dhëna gjatë fushatës parazgjedhore.
"Sot Komuna e Prizrenit ka mbajtur Bordin e Drejtorëve. Është një hap drejt rritjes së transparencës që është duke e bërë Komuna e Prizrenit. Është një zotim, të cilin e ka dhënë kryetari i Komunës. Bordi i Drejtorëve është i pari që mbahet pas emërimit të ekzekutivit. Pra javën e kaluar ‘EC Ma Ndryshe’ ka reaguar lidhur me mungesën e këtyre takimeve, prandaj Komuna e Prizrenit ka vendosur që ta mbajë. Sot, besoj se ishte një takim mjaft produktiv, u cekën disa nga çështjet që kanë prioritet dhe janë të rëndësishme për Komunën e Prizrenit”, ka deklaruar Shabani.