Fillojnë punimet në ndërtimin e parkut të ri në Prizren

Sot kanë filluar punimet për ndërtimin e parkut të ri në lagjen Lakuriq në Prizren. Në këtë ceremoni, lidhur me projektin kanë folur kryetari i Komunës së Prizrenit z.Mytaher Haskuka, drejtor i DSHP z. Osman Krasniqi dhe drejtori ekzekutiv i organizatës EC Ma Ndryshe z.Valon Xhabali.

Projekti i parkut Lakuriq është hartuar nga EC Ma Ndryshe dhe bashkëfinacohet nga Komuna e Prizrenit dhe EC Ma Ndryshe, gjegjësisht UN-HABITAT. Në kuadër të parkut parashihet ndërtimi i fushës së basketbollit dhe futbollit të vogël, shtigje për ecje, lojëra për fëmijë, ulëse të formave të ndryshme, rregullim të peizazhit (përfshi mbjelljen e drunjëve dhe mbjelljen e barit), ndriçim publik dhe shtylla anti-parking rreth e përqark parkut.

Ky projekt është njëri prej rezultateve që rrjedh nga procesi i gjatë gjithëpërfshirës që ka filluar vitin e kaluar. Projekti ka përfshirë hartimin dhe dizajnin e 6 hapësirave publike në lagjet Lakuriq, Bazhdarhane, Dardania dhe Ortakoll ku është aplikuar metodologjia e EC-it për planifikim urban me pjesëmarrje (hartim nga ana e komunitetit) bashkë me metodologjinë ndërkombëtarisht të njohur MineCraft/Bllok pas Blloku. Gjatë procesit janë ftuar të gjithë banorët e lagjeve përkatëse dhe janë mbajtur takime, konsultime, punëtori e prezantime ku bashkërisht janë identifikuar problemet në hapësirat publike të përzgjedhura e më pas janë ofruar zgjidhje dhe dizajn urban për ndërtim dhe përmirësim të këtyre hapësirave.

Projekti pos gjithpërfshirjes ka përfunduar edhe dizajnin dhe planin zbatues detaj për të gjithat hapësirat e lartpërmendura dhe është marrë pëlqimi edhe nga banorët e lagjes rreth investimeve në këto hapësira. Pas dakordimit të përbashkët mes dy palëve zbatuese të projektit, EC Ma Ndryshe do të investojë në hapësirat e identifikuara në lagjen Lakuriq përderisa Komuna e Prizrenit është zotuar se do të investojë në hapësirat e identifikuara në lagjen Dardania, Bazhdarhane dhe Ortakoll.

Ky projekt është pjesë e projektit “HAPËSIRAT re-PUBLIKE (rePUBLIC SPACES)” objektivi i përgjithshëm i së cilit është promovimi i hapësirave publike të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe të qasshme në Prizren nëpërmjet dialogut të politikave, projekteve të hartuara dhe të demonstruara nga komuniteti, të cilat synojnë përmirësimin e jetesës së banorëve dhe komuniteteve të pa favorizuara.

Rrjetëzimi