Ec Ma Ndryshe: Produktet plastike me pagesë për një mjedis të qëndrueshëm
Ndotja nga plastika është shndërruar në një nga çështjet më urgjente mjedisore, meqenëse ajo përbëhet nga ndotës të mëdhenj toksikë dhe ka potencialin të shkaktojë dëme të konsiderueshme në habitatet mjedisore.
Kosova që nga viti 2023 ka paraparë që të merr masa konkrete në këtë drejtim duke tarifuar përdorimin e plastikës, me ç’rast edhe po i bashkohet vendeve tjera në botë të cilat veçse e aplikojnë për vite këtë praktikën e pagesës së qeseve të plastikës.
Lidhur me këtë çështje, Bashkimi Europian (BE) po trajton produktet duke promovuar alternativa të qëndrueshme. Rregullat e BE-së për produktet plastike njëpërdorimshe kanë për qëllim parandalimin dhe zvogëlimin e ndikimit të plastikës në mjedis, si dhe kalimin në një ekonomi qarkore. Prandaj, BE-ja po fokusohet në kufizimin e përdorimit të tyre dhe në reduktimin e konsumit nëpërmjet masave ndërgjegjësuese për dëmet që i shkaktohet mjedisit nga plastika. https://bit.ly/3UITiOk
Ndër prioritetet kryesore sa i përket menaxhimit të mbeturinave, në Strategjinë e Mbrojtjes së Mjedisit 2013-2022 është edhe vendosja e një takse mbi përdorimin e materialeve plastike (p.sh. shishe dhe qeset). https://bit.ly/3VOKTdx
Në një videostorie të realizuar nga EC, zëvendësministrja e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Linda Çavdarbasha, ka bërë të ditur se prej janarit të vitit 2023 do të fillojë reduktimi i qeseve plastike, ku parashihet që këto qese të bëhen me pagesë. “Duhet që të punohet më tepër te përgjegjësia e zgjeruar e prodhuesve, për arsye se nëse një prodhues, e prodhon një shishe plastike, ai duhet të mbajë përgjegjësi për shishen e plastikës të cilën e prodhon, për arsye se ajo në fund është një mbetje e cila përfundon në deponi dhe atëherë e ndot mjedisin.” ka thënë ajo.
Në një hulumtim të realizuar nga EC “Sa plastikë përdoret nga qytetarët e Prizrenit?, 90% e qytetarëve që kanë qenë pjesë e këtij hulumtimi, kanë potencuar që përdorin qese plastike në përditshmëri, dhe arsyeja kryesore e përdorimit të këtyre qeseve, është sepse ato ofrohen falas nga bizneset.
Gjatë këtij hulumtimi poashtu qytetarët janë pyetur se si do të vepronin ata nëse qeset dhe shishet e plastikës do të ofroheshin vetëm me pagesë në të ardhmen. 73% prej tyre janë shprehur se nuk do të përdorin më fare plastikë dhe një prej mënyrave më efikase për reduktimin e qeseve të plastikës sipas qytetarëve të anketuar është kushtëzimi me pagesë. https://bit.ly/3YimQFi
Ndërkaq i njëjti hulumtim është realizuar edhe në qytetin e Suharekës dhe statistikat janë pothuajse të njëjta me atë të Prizrenit. https://bit.ly/3iWTBYs
Vendosja e një takse/pagese në shumë vende të botës ka rezultuar si zgjidhje e reduktimit të përdorimit të qeseve të plastikës. Bashkimi Evropian ka vendosur “taksën plastike”, e cila është një burim vetanak për buxhetin e BE-së 2021–2027. Vlerësimet fillestare tregojnë se ky kontribut mund t’i sigurojë BE-së nga 6 deri në 8 miliardë euro të ardhura shtesë çdo vit. https://bit.ly/3HAvMjr
Në vitin 2002, Republika e Irlandës u bë vendi i parë që vendosi një taksë për qeset plastike. Qëllimi i taksës ishte që t’i inkurajojë blerësit të reduktojnë numrin e qeseve që përdorin. Kjo rezultoi në një rënie të menjëhershme të përdorimit të qeseve plastike nga rreth 328 në 21 qese në vit për individë.
Poashtu, nga 1 janari 2020, produktet plastike për një përdorim janë ndaluar në qytetin e Gjenevës. Kurse shkelësit e këtij ligji do të gjobiten prej të paktën 100 CHF. https://bit.ly/3uNFbwu
Në anën tjetër, në disa vende të Italisë, si në ishullin Capri, turistët gjobiten deri në 500 Euro në rastet e përdorimit të çdo lloj qese plastike jo të biodegradueshme. https://bit.ly/3YiBDQm.
Kurse Kenya njihet si vendi që sjell dënimet më të ashpra në botë për përdoruesit e qeseve plastike: katër vite burg ose 40,000 dollarë gjobë. Kenianët që prodhojnë, shesin apo edhe përdorin qese plastike rrezikohen me burgim deri në katër vite ose gjobë prej 40,000 dollarësh (31,000 £), pas hyrjes në fuqi të ligjit më të ashpër në botë që synon reduktimin e ndotjes plastike. https://bit.ly/3FsHoTf
Sipas Udhëzimit Administrativ për ambalazhin/paketimin dhe mbeturinat e ambalazhimit/ paketimit, të vendosur në tregun e Republikës së Kosovës, ambalazhuesi dhe prodhuesi janë të detyruar të përdorin teknikat më të mira në dispozicion për prodhimin e ambalazhit/paketimit e cila është e mundur të përdoret përsëri, përpunohet ose riciklohet ashtu që ndikimi i padëshiruar në mjedis nga ambalazhi/ paketimi dhe mbeturinat e tyre të jetë në nivelin më të vogël të mundshëm. Sipas objektivave të përcaktuara në këtë udhëzim, parashihet që deri më 31 dhjetor 2024, niveli i përdorimit vjetor të qeseve plastike të mos e kalojë njëqindetetëdhjetë (180) qese plastike mbajtëse me peshë të lehtë për person, kurse deri më 31 dhjetor 2030, niveli i përdorimit vjetor të mos e kalojë dyzet (40) qese plastike mbajtëse me peshë të lehtë për person.
Një ndër objektivat e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave në Kosovë, është promovimi i vlerave dhe praktikave të një ekonomie qarkore përmes ngritjes së vetëdijes për rëndësinë dhe dobitë e menaxhimit të riciklimit të mbeturinave; stimulimit të inovacioneve në parandalimin e mbeturinave dhe përmes krijimit të sistemeve të ripërdorimit e riciklimit bazuar në konceptin e përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit.
Kjo strategji do të nxisë përmirësime të mëdha në sektorin e menaxhimit dhe riciklimit të mbeturinave derisa një rrjet i qendrave të riciklimit pritet të krijohet në tërë Kosovën. https://bit.ly/3HJaZu2
Promovimi i riciklimit të mbeturinave dhe shtytja institucionale përmes subvencionimit të kompanive të riciklimit do të nxiste ekonominë qarkore brenda komunitetit duke krijuar rrethana të favorshme për qytetarët. Në anën tjetër stimulimi i qytetarëve për klasifikimin e mbeturinave në burim, të cilat mbeturina do të pranoheshin nga kompanitë e subvencionuara do të shtonin vlerë në ciklin e mbeturinave (sistemi i rimbursimit).
Duke pasur parasysh shqetësimin në rritje për pasojat e ndotjes nga plastika, qeveria duhet të veprojë urgjentisht për të krijuar kushte dhe inkurajuar riciklimin krahas vendosjes së tarifës për përdorimin e qeseve të plastikës. Vendosja e një tarife për qeset plastike do të reduktonte në mënyrë të dukshme praninë e këtyre mbetjeve nëpër hapësirat e Kosovës sepse rrjedhimisht kjo tarifë do t’i shtyjë konsumatorët të eksplorojnë alternativa më miqësore me mjedisin në vend të qeseve njëpërodorimshe të cilat janë në dispozicion të secilit në marketet e Kosovës.
Prandaj, duke u bazuar edhe në të gjeturat e hulumtimeve të realizuara nga EC Ma Ndryshe ku të dhënat shfaqin se reduktimi i plastikës do të ndodhë dukshëm me aplikimin e kësaj tarife, ne inkurajojmë qeverinë që ta ketë prioritet aplikimin e kësaj praktike në fillimin e vitit 2023 në mënyrë që të fillojmë të kemi pyje, lumenjë, rrugë dhe parqe pa qese të plastikës që sillen vërdallë.