Ec Ma Ndryshe: DKRS vazhdon ndarjen e subvencioneve në mënyrë jo transparente
Përmes një komuniate për media, OJQ “Ec ma ndryshe”, thotë se “Komuna e Prizrenit ka publikuar listën përfundimtare të përfituesve të subvencioneve nga thirrja e DKRS-së, në kategorinë e kulturës dhe rinisë, si dhe në kategorinë e sportit.
Në vendimet përfundimtare të DKRS-së për subvencionimin e OJQ-ve dhe individëve, figurojnë titujt e projekteve dhe përfituesit.
EC Ma Ndryshe sikurse edhe RrOK-u kanë kërkuar nga DKRS-ja dhe DTZHE-ja që gjatë publikimit të listave përfundimtare të përfituesve krahas titullit të projektit dhe emrit të përfituesit të përfshijë edhe informatat si në vijim:
– Kriteret e vlerësimit, në bazë të cilave janë përzgjedhur përfituesit;
– Listën e anëtarëve të komisioneve;
– Përshkimin e shkurtër të projektit dhe rezultatet e pritura;
– Shuma financiare e aplikuar me projekt nga organizata/shoqata ;
– Shuma financiare e përkrahur nga DKRS;
EC konsideron se me publikimin e këtyre informatave dhe dokumenteve drejtoritë komunale do të tregonin transparencë dhe llogaridhënie, duke dhënë shembull për praktika të mira të qeverisjes.
Kërkesa e njëjtë është adresuar edhe në MKRS, me qëllim që kjo ministri të bëhet model i transparencës dhe llogaridhënies si dhe praktikave të mira të qeverisje edhe për nivelin lokal përkatësisht për Drejtoritë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Mirëpo DKRS-ja në Komunën e Prizrenit nuk e ka përfillur këtë kërkesë dhe ka vazhduar që listën përfundimtare të përfituesve të subvencioneve ta publikojë vetëm me titujt e projekteve dhe përfituesit.
EC përkujton se praktika e njëjtë e kufizimit të transparencës rreth mënyrës së përzgjedhjes dhe rezultateve finale të subvencioneve nga DKRS-ja ka ndodhur edhe në vitin 2019, duke i kthyer prapa arritjet e përbashkëta me RrOK-un në këtë proces gjatë vitit 2018.
Prandaj EC edhe njëherë i bën thirrje Komunës së Prizrenit që t’i rishqyrtojë këto veprime dhe të angazhohet për zbatimin e praktikave më të mira të qeverisjes, pasi që mospërfillja e këtyre kërkesave krijon hapësirë për dyshime për keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e parasë publike.
Përveç kësaj transparenca radikale ka qenë njëra prej zotimeve të kësaj qeverie komunale, që tani duhet të gjej zbatim edhe në praktikë, thuhet në njoftim./tvprizreni.info/