Projektet

Aktivizmi Kulturor dhe Urban në Prizren

Projekti "Aktivizmi Kulturor dhe Urban në Prizren" i mbështetur nga Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë, ka për qëllim të stimulojë debatin shoqëror për rolin e aktivizmit kulturor në transformimin urban të qytetit, duke u bazuar në parimet e qeverisjes demokratike. Në thelb, kjo është një nismë kulturore dhe artistike që trajton sfidat krijuese aktuale të zhvillimit urban dhe reformave demokratike në Prizren. Me nxitjen e debatit publik rreth çështjeve të politikës kulturore, degradimit urban, pjesëmarrjes publike dhe zhvillimit lokal, projekti do të përpiqet të ndikojë në agjendën e krijimit të politikave lokale, duke nxitur planifikimin e qytetit me qendër kulturën, reformën demokratike dhe zhvillimin lokal.

Aktivitetet kryesore

  •     Forume të diskutimit
  •     Studime mbi aktivizmin kulturor
  •     Konferenca regjionale
  •     Intervenime artistike publike
  •     Mediat sociale për aktivizmin kulturor

Gjatë vitit 2014, organizata ka nisur një cikël diskutimesh publike për nevojën e aktivizmit kulturor dhe urban, për të transformuar potencialin kulturor dhe artistik të qytetit në aktivizëm dhe veprim në mbrojtje të qytetit. Komponentë qendrore e projektit ka qenë thirrja për intervenime artistike në hapësirën publike, që synon bartjen e diskutimit mbi degradimin e qytetit në hapësirën publike përmes intervenimeve dhe performansave. Një hulumtim i veçantë gjatë vitit ka vlerësuar potencialin për aktivizëm kulturor në Prizren. Tri vepra të intervenimit artistik në hapësirën publike, publikimi i raportit të hulumtimit dhe konferenca rajonale për aktivizëm kulturor do të realizohen në pjesën e parë të vitit 2015.

Të arriturat kryesore të projektit gjatë vitit 2014 ishin:

  •     Forume të rregullta diskutimi për të nxitur aktivizmin kulturor dhe urban në Prizren, si reagim ndaj degradimit urban në qytet,
  •     Promovimi i konceptit të intervenimit në hapësirën publike përmes veprave artistike që do të bartin diskutimin nbi qytetin në hapësirën e Qendrës Historike të qytetit,
  •     Hulumtimi mbi potencialin e aktivizmit kulturor në Prizren, i cili do të prodhojë rekomandime për qeverinë lokale dhe komunitetin kulturor të qytetit mbi politikat kulturore dhe aktivizmin.