Aktivizmi Kulturor dhe Urban në Prizren
Projekti "Aktivizmi Kulturor dhe Urban në Prizren" i mbështetur nga Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë, ka për qëllim të stimulojë debatin shoqëror për rolin e aktivizmit kulturor në transformimin urban të qytetit, duke u bazuar në parimet e qeverisjes demokratike. Në thelb, kjo është një nismë kulturore dhe artistike që trajton sfidat krijuese aktuale të zhvillimit urban dhe reformave demokratike në Prizren. Me nxitjen e debatit publik rreth çështjeve të politikës kulturore, degradimit urban, pjesëmarrjes publike dhe zhvillimit lokal, projekti do të përpiqet të ndikojë në agjendën e krijimit të politikave lokale, duke nxitur planifikimin e qytetit me qendër kulturën, reformën demokratike dhe zhvillimin lokal.
Aktivitetet kryesore
- Forume të diskutimit
- Studime mbi aktivizmin kulturor
- Konferenca regjionale
- Intervenime artistike publike
- Mediat sociale për aktivizmin kulturor
Të arriturat kryesore të projektit gjatë vitit 2014 ishin:
- Forume të rregullta diskutimi për të nxitur aktivizmin kulturor dhe urban në Prizren, si reagim ndaj degradimit urban në qytet,
- Promovimi i konceptit të intervenimit në hapësirën publike përmes veprave artistike që do të bartin diskutimin nbi qytetin në hapësirën e Qendrës Historike të qytetit,
- Hulumtimi mbi potencialin e aktivizmit kulturor në Prizren, i cili do të prodhojë rekomandime për qeverinë lokale dhe komunitetin kulturor të qytetit mbi politikat kulturore dhe aktivizmin.