Lajmet

Prizreni i bashkohet nismës “Ballkani kërkon ajër të pastër”

28 shkurt 2020

Ndotja e ajrit në disa qytete të Ballkanit ka arritur në nivel të rrezikshëm për shëndetin e qytetarëve. Nevoja për një cilësi më të mirë të jetës i ka bashkuar banorët e disa qyteteve të Ballkanit në një aksion rrugor, me qëllim që ta tërheqin edhe njëherë vëmendjen për problemin e ndotjes së ajrit, duke kërkuar masa konkrete për mjedisin, me theks të veçantë ajrin e pastër.

Aktiviteti “Ballkani kërkon ajër të pastër” është organizuar në disa qytete të rajonit të Ballkanit, derisa në Prizren është realizuar nga EC Ma Ndryshe. Qëllimi i aktivitetit ishte që përmes parakalimit të bëhet thirrje për intervenim sa më të shpejtë nga institucionet qendrore dhe lokale për përmirësim të cilësisë së ajrit në Kosovë.

Pjesëmarrës në aktivitet ishin edhe përfaqësues nga grupet e ekologëve të shkollave fillore “Emin Duraku” dhe “Loyola”, të cilët përmes disa punimeve improvizuan ajrin e pastër dhe ajrin e Kosovës e të Ballkanit në përgjithësi. Nxënësit poashtu shprehën shqetësimin e tyre për këtë gjendje, duke përçuar edhe disa mesazhe që e drejta për ajër të pastër është e drejtë e çdo njeriu.