Lajmet

Qytetet gjithëpërfshirëse

27 dhjetor 2019

Është mbajtur konferenca “Qytete Gjithëpërfshirëse” ku panelistë ishin Flaka Xërxa Beqiri nga EC Ma Ndryshe, Mytaher Haskuka Kryetar i Komunës së Prizrenit, Ilir Gjinolli Ligjërues në UP dhe Enes Toska nga EC Ma Ndryshe,

Fillimisht nga EC Ma Ndryshe u bë një prezantim i përgjithshëm i projektit “Qytetet gjithëpërfshirëse” i cili edhe gjatë këtij viti ka vazhduar shtrirjen e tij në qytetet tjera përmes takimeve në lagje, inicimit të kërkesave të qytetarëve, takimeve me përfaqësues institucional në komuna të ndryshme dhe punëtorive hulumtuese. EC përmes këtij projekti ka vazhduar angazhimin për nxitjen e aktivizmit qytetar, duke identifikuar dhe shtyrë përpara kërkesat dhe nevojat e komunitetit dhe duke ofruar ndihmë në zhvillimin e politikave lokale.

Kryetari i komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka e cilësoi temën e kësaj tryeze si të qëlluar duke qenë se edhe për këtë komunë hapësirat publike kanë qenë në qendër të vëmendjes përmes bashkëpuimeve me EC Ma Ndryshe në identifikimin dhe intervenimin në bazë të kërkesave të qytetarëve. Si shqetësuese u shfaq problemi i keqshfrytëzimit dhe dëmtimit të këtyre hapësirave që po ndodh në vazhdimësi. U cek që Komuna e Prizrenit do të vazhdojë të angazhohet që hapësirat publike të Prizrenit të përmirësohen dhe të shtohet numri i tyre. Haskuka përmendi që kjo komunë ka rritur inkasimin nga shfrytëzimi i hapësirave dhe në vitin 2018 janë inkasuar 125.000 euro krahasuar me vitin 2017 kur të hyrat kanë qenë vetëm 25.000 euro. Kryetari e theksoi që për hapësirën publike në Qendrën Historike të Prizrenit është duke u punuar një rregullore që do të vendosë standarde të shfrytëzimit, dhe kjo po ndodh pas dy dëgjimeve publike të mbajtura tashmë.

Ilir Gjinolli, profesor nga Universiteti i Prishtinës theksoi që vet korniza ligjore nuk e trajton hapësirën publike në ligjin për planifikim hapësinor në kontekstin e  menaxhimit dhe zgjerimit të saj. U bë thirrje që kujdesi ndaj hapësirës publike duhet të shtohet e sidomos në qytetin e Prizrenit ku kjo hapësirë kombinohet me trashëgiminë kulturore. Kjo temë për hapësirën publike është duke u trajtuar shumë edhe nga Fakulteti i Arkitekturës dhe konsideron që involvimi i qytetarëve i cili po sigurohet nga OJQ-të duke trajtuar këtë temë përmes aktiviteteve bën që rezultatet të shihen dhe qytetarët të fillojnë ta rrisin  përkushtimin për ruajtjen e hapësirave publike.

Enes Toska dha një perspektivë shtesë të EC Ma Ndryshe se si shihet dhe trajtohet problematika e hapësirave publike dhe se si i është qasur organizata kësaj çështjeje. Disa çështje të rëndësishme për hapësirat publike në Prizren e që u diskutuan nga Toska ishin: Mungesa e një analize gjithëpërfshirëse të karakterit dhe llojeve të hapësirave publike, çështja e mirëmbajtjes së hapësirave publike; mungesa e vetëdijes së qytetarëve për mbrojtje  të hapësirës publike; mungesa e procesit të dizajnit të hapësirave publike të reja duke përfshirë edhe ridizajnimin e atyre ekzistuese dhe mungesa e gjithëpërfshirjes.

Pas prezantimeve nga panelistët kishte diskutim të hapur ku u kërkua që të ketë mbështetje nga komuna për projekte të tilla që kontribuojnë në të mirën e përgjithshme të qytetit dhe të shtohet vëmendja institucionale tek menaxhimi i hapësirave publike.

Kjo konferencë është realizuar në kuadër të projektit "Qytetet Gjithëpërfshirëse”- promovimi dhe përhapja e metodologjisë së planifikimit urban me pjesëmarrje, financuar nga Olof Palme International Center mbështetur nga Qeveria e Suedisë.