Lajmet

Vazhdon degradimi i trashëgimisë ndërtimore në Prizren

13 gusht 2016

Rrënimi i shtëpive të vjetra brenda qytetit të Prizrenit ka marrë përmasa shqetësuese. Një tjetër shtëpi që ndodhet brenda radiusit të mbrojtur të Kishës së Shën Premtes ka filluar që të rrënohet gjatë kësaj fundjave.


Fakti që shtëpia që po rrënohet ndodhet brenda radiusit të mbrojtur të Kishës së Shën Premtes dhe kufirin e zonës historike lenë për të kuptuar se ka kërkuar një trajtim të veçantë nga institucionet përgjegjëse. 


Neni 6, i Ligjit për trashëgiminë kulturore në paragrafin 4 përkufizon se “monumentet arkitekturale nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme kanë një zonë tё mbrojtjes, që është 50 metra nga perimetri i monumentit”.


Për më shumë, Kisha e Shën Premtes është i vetmi monument në qytet, që hyri në listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik të UNESCO-s, në vitin 2006.


Për këtë arsye EC Ma Ndryshe konsideron se institucionet përgjegjëse është dashur që ta trajtojnë këtë rast me ndjeshmëri më të theksuar, dhe të bëjnë përpjekje më të madhe për ruajtjen e trashëgimisë ndërtimore të Prizrenit.