Lajmet

Qytetarë nga pjesë të ndryshme të Kosovës nesër në protestën e Prizrenit

14 qershor 2016Protesta qytetare për të kërkuar llogari nga institucionet lokale dhe qendrore për vdekjen e tre vjeçares Xheneta Gashi do t’i ketë dy kërkesa: dorëheqjen e Kryetarit të Komunës së Prizrenit dhe dy ministrave të qeverisë së Kosovës, atij të kulturës dhe atij të planifikimit hapësinor, si dhe ndjekjen penale të të gjithë përgjegjësve institucional që me mosveprimin e tyre shkaktuan tragjedinë.
 
Thirrjes për protestë në Prizren për të kërkuar llogari për tragjedinë e javës së kaluar po i përgjigjen edhe shumë organizata nga qytete të ndryshme të Kosovës. Deri në këtë moment, këto organizata janë deklaruar se e përkrahin dhe i bashkohen protestës së Prizrenit: Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile – KCSF, Instituti GAP, Iniciativa për Progres – INPO, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë – QKSS, Forumi për Iniciativa Qytetare – FIQ, Anibar, Grupi për Studime Juridike dhe Politike – GSJP, Lëvizja FOL, Qendra për Politika dhe Avokim – QPA, Syri i Vizionit, Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP, Klubi Politik i Studentëve, Instituti Demokraci për Zhvillim – D4D, Internews Kosova, BIRN Kosova, 7 Arte dhe Integra.
 
Ne kërkojmë që rasti i neglizhencës instiitucionale që prodhoi tragjedinë e javës së kaluar të diskutohet si pikë e veçantë e rendit të ditës në seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës. Për këtë, i ftojmë deputetët e Kuvendit të Kosovës që vijnë nga Prizreni që sa më parë të marrin këtë nismë për debat parlamentar për tragjedinë e Prizrenit.
 
Gjithashtu, i bashkohemi thirrjes së nënës së Xheneta Gashit për drejtësi për vajzën e saj dhe e konsiderojmë si qëndrim shumë të dinjitetshëm refuzimin e saj për të pranuar ndihmën financiare nga Komuna e Prizrenit. Në këtë rast, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të vullnetit të mirë për solidarizim me nënën e Xhenetës, e cila ka apeluar për ndihmë nga qytetarët për të siguruar një kulm të sigurt mbi kokë. Ky qëndrim i saj është thirrje për të gjithë qytetarët, të cilët nesër me pjesëmarrjen e tyre në protestë do të kërkojmë llogari nga institucionet e shtetit për këtë tragjedi.
 
Protesta do të mbahet më 15 qershor 2016, e mërkurë, në Sheshin Shadërvan të Prizrenit dhe fillon në orën 12.00 (mesditë). Për veprimet e radhës të këtij grupi të organizatave, qytetarët do të informohen menjëherë pas protestës së nesërme.