Lajmet

Koha e fundit që Qeveria e Kosovës të intervenoj në Qendrën Historike të Prizrenit

06 maj 2016

Rrënimi i objekteve të vjetra, që gëzojnë mbrojtje në bazë të legjislacionit në fuqi, nuk po ka të ndalur në Qendrën Historike të Prizrenit. Rasti i fundit, i shkatërrimit të vlerave të trashëgimisë kulturore në këtë zonë të mbrojtur ka ndodhur të enjten në rrugën “Marin Barleti”. Sipas autoriteteve në të njëjtën rrugë ka edhe disa objekte të tjera që janë në prag të kolapsit. Tashmë ka kaluar kohë e konsiderueshme që prej se shteti nuk po ndërmerr veprime të duhura për ruajtjen e konservimin e këtyre ndërtesave, që paraqesin vlera të çmuara të trashëgimisë arktiketonike të Prizrenit.


Objektet në rrugën “Marin Barleti”, që kryesisht janë rezidenciale, tashmë janë në shkatërrim e sipër. Të gjitha këto objekte kanë status të mbrojtjes ligjore dhe bëjnë pjesë në Kompleksin e Nënkalasë, Pantelisë dhe Potok Mahallës, pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme (me numër unik të databazës 002983). Të njëjtat gëzojnë mbrojtje ligjore, bazuar edhe në nenin 4 paragrafi 2 të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, ku theksohet se “Qendra e mbrojtur historike e Prizrenit, si pronë e trashëgimisë kulturore në mbrojtje përfshihet në listën e trashëgimisë kulturore, në mbrojtje të përhershme të Republikës së Kosovës”. Lexo reagimin.