Lajmet

Kontejnerët e gjelbër për një qytet më të mirë

21 dhjetor 2015

EC Ma Ndryshe të hënën ka realizuar performansën publike ‘’Kontejnerët e gjelbër’’, e cila bën thirrje për më shumë pastërti dhe kujdes në hapësirat publike.
 
Në kuadër të kësaj performanse në pikat e caktuara të qendrës së qytetit janë vendosur tetë kontejnerë të estetizuar. Ky intervenim artistik i realizuar nga artistja Fitore Isufi - Koja, synon rikrijimin e hapësirave publike të qytetit përmes artit publik, duke i shndërruar ato në vende atraktive për komunitetin.
 
Kontejnerët në këtë rast, sipas artistes, janë transformuar në koshe gjelbërimi, të cilat provojnë ta provokojnë qytetarin në aspektin estetik, për të qenë të kujdesshëm ndaj ambientit, për të kultivuar shijen ndaj të bukurës e natyrës, por edhe janë dëshmitare të veprimeve të papërgjegjshme përkatësisht të hedhjes së mbeturinave kudo, duke anashkaluar përgjegjësinë kolektive.
 
“Kontejnerët e gjelbër” është një tjetër shtytje për veprim komunitar në Prizren dhe për mbrojtjen e qytetit përmes aktivizmit kulturor.
 
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Qyteti gjithëpërfshirës...”, i cili promovon organizimin komunitar në Prizren. Projekti përkrahet financiarisht nga Olof Palme International Center, e cila mbështetet nga Qeveria e Suedisë.