Lajmet

Tabelat alternative për shpëtimin e drunjve

01 gusht 2015

Nisur nga shqetësimet e qytetarëve, ambientalistëve dhe zyrtarëve institucionalë për dëmtimin e drunjve në qendër të qytetit, si rezultat i ngjitjes së vazhdueshme të posterëve reklamues dhe shpalljeve njoftuese, EC Ma Ndryshe të shtunën ka realizuar performansën publike ‘’Drunj të pastër’’, e cila bën thirrje për më shumë kujdes në ruajtjen e vlerave natyrore të qytetit. Përderisa drunjtë janë atribues kryesor në pastërtinë e ajrit, gjelbërimin dhe hijen e krijuar si dhe janë përbërës të rëndësishëm në peizazhin e qytetit, ata vazhdimisht po përdoren si sipërfaqe reklamuese.  Ngjitja dhe shpimi në sipërfaqen e drunjve i dëmton ato për arsye se dëmtohet një prej shtresave më esenciale të vet drurit, ajo mbrojtëse, e cila shërben si transmetues i lëndëve ushqyese nga rrënjët deri te gjethi.

Për të evituar këtë, EC Ma Ndryshe propozon që në akset kryesore të rrugëve të vendosen tabela të cilat kanë për destinim ngjitjen e materialeve njoftuese dhe promovuese. Për këtë është realizuar një analizë, që është përqendruar në dy segmentet e rrugëve prej objektit të Komunës e deri te ura Arasta,  me ç’rast është parë se nga gjithsej 42 drunj të perimetrit 1,3 m deri në 2 m, sipërfaqja e cila shfrytëzohet për reklamim është rreth 50 m2. Në vend të kësaj, është propozuar një alternativë e tabelës reklamuese e cila ka hapësirë shfrytëzimi në te dy anët me gjithsej 5,24 m2. Në bazë të llogarive të dala nga analiza, aplikimi i kësaj tabele në 9 ekzemplarë përgjatë segmenteve të analizuara, do të lironte drunjtë nga njoftimet e reklamat. Lexo komunikatën.