Lajmet

Konferenca Rajonale ‘’Aktivizmi kulturor dhe Qyteti’’

21 maj 2015Ka përfunduar konferenca rajonale “Aktivizmi kulturor dhe Qyteti”, e realizuar në kuadër të projektit ‘’Aktivizmi kulturor dhe urban në Prizren’’, përkrahur financiarisht nga Amabasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë. Aktivistë dhe artistë të njohur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Sërbia ishin pjesë e dy paneleve të kësaj konference përderisa pjesëmarrës ishin përfaqësues të institucioneve, misioneve diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile, medias dhe të tjerë.
 
Në panelin e parë "Ku arti, aktivizmi, performansa dhe politika takohen", Violeta Simjanovska u paraqit me kritikën e saj ndaj projektit "Shkupi 2014", Sadi Petrela solli shembuj të aktivizmit për të shpëtuar Gjirokastrën ku kujdesi institucional është minimal, ndërsa Florent Mehmeti u fokusua në trajtimin që i bëhet kulturës në Kosovë dhe nevojën për mobilizim të skenës së pavarur. Në fund të panelit që u moderua nga Fisnik Minci, të gjeturat e raportit hulumtues të EC mbi aktivizmin kulturor në Prizren i prezantoi Flaka Xërxa.
 
Raporti mbi potencialin e aktivizmit kulturor dhe urban në Prizren nxjerrë në pah ndikimet negative të degradimit të ambientit urban, venitjen e dashurisë ndaj të mirës së qytetit dhe mos-prioritizimit e kulturës në politikat lokale si elemente të rënies së potencialit të aktivizmit kulturor në Prizren. Rekomandimet themelore të këtij raporti lidhen me nevojën për prioritizimin e kulturës në politikat lokale dhe nxitjen e artistëve lokalë për të parë aktivizmin si mundësi e shprehjes së qëndrimeve, pakënaqësive dhe dëshirës për ndryshim në rrafshin social, politik dhe kulturorë në vend.
 
Në panelin e dytë të konferencës "Çlirimi i hapësirave publike", Shpend Ahmeti rrëfeu përpjekjet e komunës për t'ia kthyer hapësirën publike qytetarit të Prishtinës, Ljubica Slavkovic solli shembuj nga aktivizmi urban për të parandaluar degradimin e Beogradit, ndërsa Saimir Kristo dhe Aida Ciro folën për vizionimet për të rimenduar shfrytëzimin e hapësirës publike në Tiranë. Në panelin që u moderua nga Rozafa Basha, prezantimi i fundit ishte nga Ares Shporta, i cili foli mbi hapësirën ku u mbajt sot konferenca dhe për angazhimin qytetar për të shpëtuar Lumbardhin nga privatizimi dhe degradimi i mëtejmë.
 
Lidhur me hapësirat publike dhe trajtimin e tyrë është shprehur edhe Jeffrey Jamison nga ambasada e ShBA-ve në Prishtinë, i cili ka bërë të ditur se qytetet nuk janë krijuar nga një njeri, por nga grumbulli i ideve dhe se në situatën aktuale në Kosovë është me rëndësi që hisedarët e ndryshëm të diskutojmë mbi vizionimin dhe planifikimin e hapësirave urbane, ngase ato shfrytëzohen nga grupe të mëdha njerëzish "Qëllimi ynë ka qenë që të nxitet debati në mënyrë që të merren vendime më të mira, në interes të qytetit dhe qytetarëve", ka thënë ai, duke u referuar në projektin një vjeçar “Aktivizmi kulturor dhe urban në Prizren”.