Projektet

Iniciativat e tanishme

Partneriteti me Republikën Çeke

EC Ma Ndryshe është përfituese e drejtpërdrejt e projektit të implementuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqeri Civile dhe Instituti Europeum nga Republika Çeke. Rishtas, EC Ma Ndryshe mori pjesë në një vizitë studimore në Republikën Çeke e poashtu realizoi edhe vizitën e një eksperti të trashëgimisë kulturore nga Republika Çeke. Ky partneritet u krijua me qëllim të realizimit të një projekti mbi trashëgiminë kulturore në mes të dy vendeve, i cili do të zbatohet, duke filluar nga viti 2014.


Prezantimi kulturor i Prizrenit në Sllovaki

Si pjesë e përpjekjeve të diplomacisë publike dhe kulturore të Kosovës, EC Ma Ndryhse prezentoi një program kulturor tre ditor në Banska Stiavnica, Sllovaki. Programi ka përfshirë prezentimin mbi ofertën kulturore dhe turistike të qytetit të Prizrenit, trashëgiminë kulturore dhe natyrore si dhe performancën artistike. Qëllimi i kësaj vizite poashtu ishte inicimi i një shkëmbimi të qëndrueshëm kulturor në mes të dy vendeve. Përkrahësit e kësaj vizite ishin Këshilli Britanik në Kosovë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Zyra e Kryeministrit të Kosovës dhe Forumi kulturor.


Peticioni për rend urbanistik

Peticioni i cili filloi gjatë muajit Gusht ka për qëllim të adresojë problemin e zhvillimit të pakontrolluar urban në komunën e Prizrenit dhe i dedikohet kryetarit të ardhshëm të Prizrenit, i cili pritet të marrë detyrën në Dhjetor të këtij viti. Disa prej kerkesave konkrete që parashtrohen me anë të këtij peticioni janë: a) të ndalohen të gjitha aktivitetet ndërtuese që nuk janë në pajtim me ligjet, procedurat, rregullat, pëlqimet dhe lejet e ndërtimit, b) të rrënohen të gjitha strukturat e ndërtuara që nuk janë në pajtim me ligjet, procedurat, rregullat, pëlqimet dhe lejet e ndërtimit, c) të iniciohet procesi i verifikimit të dëmeve që i janë shkaktuar ambientit jetësor, strukturës urbane dhe trashëgimisë kulturore të qytetit si pasojë e ndërtimeve të pakontrolluara dhe kundërligjore, d) viti 2014, të shpallet vit të luftës kundër praktikave degraduese dhe kundërligjore në urbanizmin e qytetit, e) të respektohen me përpikmëri të gjitha ligjet qendrore të Kosovës, me theks të veçantë ato që mbrojnë trashëgiminë kulturoref) të respektohet dhe zbatohet me përpikmëri Planin e Konservimit dhe Zhvillimit të Zonës Historike të Prizrenit të miratuar nga Kuvendi i Komunës së Prizrenit në vitin 2008, etj.