Lajmet

Pronarët e shtëpive tradicionale brenda Qendrës Historike të Prizrenit të përkrahen me investime

17 shtator 2020

Javëve të fundit janë raportuar punë ndërtimore të paligjshme në Qendrën Historike të Prizrenit (QHP). Disa nga këto ndërhyrje janë bërë edhe nga pronarët privat. EC Ma Ndryshe apelon tek institucionet përgjegjëse që të përkrahin pronarët që posedojnë ndërtesa me vlerë përmes programeve të veçanta të investimit për restaurime e rehabilitime, pasi që në këtë mënyrë mund të mbrohen ato dhe njëkohësisht të parandalohen veprimet e paligjshme.

Qendra Historike e Prizrenit sipas Ligjit Nr. 04/L-066 (2012) trajtohet si pronë e trashëgimisë kulturore dhe historike në mbrojtje të përhershme dhe të klasifikuar si Zonë e veçantë e mbrojtur me vlera të interesit lokal, shtetëror dhe ndërkombëtar. Tendencat për ti relativizuar problemet brenda kësaj zone të mbrojtur nuk i shërbejnë zgjidhjes së problemeve të shumta ekzistuese.

Në javët e fundit EC Ma Ndryshe ka raportuar për raste të ndryshme të rrënimeve e ndërhyrjeve të paligjshme në Qendrën Historike të Prizrenit. Këto rrënime e ndërhyrje janë konfirmuar se janë të paligjshme edhe me shkresat zyrtare të marra nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Drejtoria e Inspektoratit në Komunë të Prizrenit, por edhe nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe Këshilli i Trashëgimisë Kulturore për QHP.

Në shumë raste të përcjella edhe nga EC Ma Ndryshe, edhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren si institucion vartës i MKRS ka dhënë përgjigje negative për kërkesat e ndryshme të pronarëve për meremetime e restaurime të shtëpive, për shkak të mungesës së fondeve për financimin e këtyre kërkesave.

Kjo qasje refuzuese e institucioneve dhe planifikimet e investimet e pabazuara në gjendjen reale në terren po i vendosin pronarët para një akti të kryer dhe pas mospërkrahjes institucionale ata po i dëmtojnë objektet e tyre që të kenë alibi për rrënim të mëtutjeshëm. Është shumë e rëndësishme të ceket që ndërtesat e vjetra tradicionale kanë nevojë për mirëmbajtje e meremetim të vazhdueshëm dhe pronarët në shumicën e rasteve nuk kanë kapacitet financiar për ti mbuluar këto shpenzime. Poashtu kërkesat për hapësira shtesë dhe funksione të reja në prona të QHP-së duhet të përshtaten me dispozitat e ligjit në fuqi.

EC Ma Ndryshe përsërit kërkesën për vigjilencë nga institucionet përgjegjëse për investime bazuar në kritere profesionale dhe ndërprerjen e praktikave të rrënimit të ndërtesave me vlerë të trashëgimisë kulturore, në veçanti ato që gjenden brenda kufijve të QHP-së si zonë e mbrojtur. Ndërtesat e vjetra po dëmtohen edhe qëllimisht, sidomos tash para fillimit të sezonit së vjeshtës pasi që me dëmtim të pjesshëm po krijohen kushtet që strukturat e ndërtesave të dobësohen dhe në këtë mënyrë të krijohen alibitë për kërkesa për rrënime dhe rindërtime në të ardhmen.

EC Ma Ndryshe apelon prapë tek Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe Komuna e Prizrenit të themelojnë fond për mbrojtje, restaurim dhe rehabilitim të ndërtesave në QHP si një zgjidhje e vetme dhe e qëndrueshme, por dhe si masë parandaluese për evitim të fenomeneve të dëmtimit të qëllimshëm që po ndodhin në terren.