Lajmet

Zyra e Qendrës Historike të Prizrenit ende nuk është funksionalizuar

17 korrik 2020

Komuna e Prizrenit ende nuk e ka funksionalizuar Zyrën e Qendrës Historike të Prizrenit, edhe pse vendimi për themelimin e saj ishte votuar në maj të vitit 2019 nga anëtarët e Kuvendit të Komunës.

Në vendimin e Kuvendit të Komunës thuhej se Zyra për Qendrën Historike të Prizrenit do të funksionoj si zyre e veçantë në kuadër të Zyrës së Kryetarit të Komunës së Prizrenit, dhe se do të ketë udhëheqësin e zyrës dhe dy zyrtarë. Për zbatim të këtij vendimi, Kuvendi kishte obliguar Zyrën e Kryetarit të Komunës.

Komuna e Prizrenit në përgjigjen e saj ka ofruar disa arsye për mos funksionalizimin e deritanishëm të Zyrës për Qendrën Historike të Prizrenit: “Zyra për Qendrën Historike të Prizrenit ka për qëllim të krijojë koordinim sa më të mirë mes institucioneve që kanë të bëjnë me Qendrën Historike. Funksionalizimi i kësaj qendre është shtyrë për shkak se ende nuk është arritur që të bëhet rekrutimi i stafit, për shkak të pengesave administrative të cilat janë amendamenti i Ligjit për Zyrtarët Publikë, planifikimi i stafit, ndryshimi i numrit të ministrive në qeveri dhe konfirmimet që presim nga ministritë përkatëse. Po ashtu një prej arsyeve është edhe pandemia COVID-19, e cila ka ngadalësuar procedurat administrative. Është bërë planifikimi për rekrutim të stafit dhe pritet konfirmimi nga ministria përkatëse”. 

EC përkujton se dispozitat e Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit (Ligji Nr. 04/L-066 i aprovuar në vitin 2012) parashohin që Komuna e Prizrenit të themelojë një Zyrë për Qendrën Historike të Prizrenit, me qëllim të: koordinimit të veprimeve që lidhen me mbrojtjen, zhvillimin dhe promovimin e Qendrës Historike të Prizrenit, përfshirë asistencën ndërkombëtare; informimit të publikut mbi rëndësinë dhe statusin e mbrojtur të Qendrës Historike të Prizrenit; promovimit dhe zhvillimit të Qendrës Historike të Prizrenit si destinim turistik me një trashëgimi kulturore të pasur; nxjerrjes dhe shpërndarjes së informatave të sakta sa i përket Qendrës Historike të Prizrenit, përfshirë hartat informuese, listën e shërbimeve të ofruara, agjendat kulturore dhe reklamat.

Duke marrë parasysh faktin se trashëgimia kulturore është njëra nga prioritetet e qeverisë aktuale komunale, EC Ma Ndryshe i bën thirrje Ekzekutivit komunal që të ndërmarrë veprime urgjente për funksionalizimin e Zyrës së Qendrës Historike të Prizrenit dhe të mundësojë pa vonesa të mëtejme që ajo ta ushtrojë rolin për mbrojtjen, zhvillimin dhe promovimin e zonës së mbrojtur të qytetit.