Lajmet

Punëtori vizionimi për hapësirën e brendshme të shkollës “Luciano Motroni”

01 tetor 2019Është organizuar punëtoria vizionuese për hollin e shkollës “Luciano Motroni”. Kjo punëtori është organizuar me qëllim që të rinjve t’u krijojë mundësinë të shprehin vizionin e tyre për hapësirën të cilën e frekuentojnë çdo ditë, duke i bërë kështu pjesëmarrës në procesin e planifikimit të hapësirës së shkollës së tyre.

Kjo punëtori është mbajtur me arsyen e shndërrimit të kësaj hapësire brenda shkollës në një pjesë multifunksionale duke u bazuar në nevojat e vetë nxënësve. Hapësira e hollit hyrës për momentin është plotësisht e zbrazët dhe e pashfrytëzueshme, andaj intervenimi që do të jetë rezultat i kësaj punëtorie do të bazohet në një ndërhyrje me materiale të reciklueshme përmes të cilave do të krijohen funksione të shumta të shfrytëzimit.

Nxënësit pjesëmarrës të udhëhequr nga arkitektja Flaka Xërxa Beqiri, në pjesën e parë të kësaj punëtorie i shfaqën anët pozitive dhe negative të gjendjes aktuale të kësaj hapësire duke vazhduar më tej me propozimet aktuale për intervenime të cilat i kanë bazuar në nevojat e tyre ditore.

Ky aktivitet është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).