Lajmet

Agjenda e Gjelbër e Zhupës - Sfidë apo Potencial

19 dhjetor 2019

EC Ma Ndryshe në bashkëpunim me OJQ \"Sofra\" kanë mbajtur një debat të hapur me panelistët, përfaqësues të fshatrave nga rajoni i Zhupës si dhe shumë të interesuar të tjerë, lidhur me mbrojtjen e mjedisit, pasurinë natyrore që posedon kjo pjesë si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet.

Në këtë debat folës kanë qenë: Izudin Sagdati - OJQ \"Natural Fresh\", Zafir Azizovic - Parku Nacional \"Sharr\" si dhe Duda Balje - Deputete në Kuvendin e Kosovës.

Izudin Sagdati nga OJQ \"Natural Fresh\" para të pranishmëve ka paraqitur Agjendën e Gjelbër të Zhupës, e cila është hartuar së bashku me grupet e ndryshme të komunitetit të kësaj ane, e cila mund të jetë pika fillestare për mbrojtjen dhe zhvillimin e potencialit natyror që posedon rajoni i Zhupës.

Zafir Azizovic si përfaqësues i parkut nacional \"Sharr\" ka paraqitur biodiversitetin e Parkut Nacional \"Sharr\", të dhëna rreth shtrirjes së tij dhe kur është themeluar, si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet dhe potencialin për turizëm që e ofron kjo pjesë.

Duda Balje deputete në Kuvendin e Kosovës është fokusuar kryesisht në ndalimin që është bërë për ndërtimin e hidrocentraleve të cilat do t’i sjellnin një dëm të pariparueshëm natyrës së kësaj ane si dhe disa nga ndërtimet e egra që janë duke u zhvilluar në këto pjesë.

Panelistët dhe të pranishmit janë pajtuar që duhet të punohet shumë në ruajtjen dhe promovimin sa më të madh të kësaj ane, si dhe kanë cekur se debate të tilla janë gjithmonë të mirëseardhura.

Aktiviteti është financuar nga projekti \"Përkrahja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë, financuar nga Qeveria e Dukatit të madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)”.