Lajmet

EC apelon që institucionet të vendosen në ndërtesa publike

11 nëntor 2019

Nisma për zhvendosjen e Presidencës së Kosovës në ndërtesën e ish-Komitetit në Prishtinë dhe bartja e MKRS-së dhe MBPZHR-së nga kjo ndërtesë në ndërtesa private me qira ka shkaktuar reagime të ndryshme gjatë ditëve të fundit.


Sipas raportimeve në media, kostoja e qirasë për vendosjen e ministrive përkatëse në ndërtesa private si dhe shpenzimet e adaptimit të tyre do të jenë barrë për buxhetin e Kosovës.


EC konsideron se Presidenca e Kosovës si institucion reprezentativ meriton të jetë e vendosur në një ndërtesë adekuate që përfaqëson vlerat e Kosovës. Por në të njëjtën kohë përkujton se nisma aktuale për vendosjen e Presidencës së Kosovës në ndërtesën e ish-Komitetit me zhvendosjen e MKRS-së dhe MBPZHR-së në ndërtesa private nuk përkon me vendimmarrjen e Qeverisë së Kosovës, e cila 11 vite më parë pat marrë vendim për vendosjen e të gjitha institucioneve nga ndërtesat private në ndërtesa publike. Kujtojmë se ky vendim ishte marrë për kufizimin e shpenzimeve nga buxheti i Kosovës.


Për më shumë vendimi i datës 30 janar 2008 i Qeverisë së Kosovës (http://kryeministri-ks.net/wp-content/uploads/docs/Vendimet_e_Mbledhjes_se_4-te_te_Qeverise.pdf) që të gjitha institucionet që janë në ndërtesa private të vendosen në ndërtesa publike ishte nënshkruar nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, aktualisht President i Kosovës.


Duke marrë për bazë faktin se vet z. Thaçi kishte marrë vendim që të gjitha institucionet që janë në ndërtesa private të vendosen në ndërtesa publike, EC Ma Ndryshe i bën thirrje Presidentit të Kosovës sikurse edhe Qeverisë së Kosovës respektivisht MAP-it që të ndërmarrin veprime të duhura që bartja e institucioneve të mos bëhet në ndërtesa private, në mënyrë që të kursehet buxheti i Kosovës nga shpenzimet shtesë për qira.