Lajmet

Peticion kundër Mini Hidrocentraleve dhe Hidrocentraleve të vogla

29 tetor 2019

Të martën, më 29 tetor fillon nënshkrimi i peticionit, nëpërmjet të cilit qytetarët e Kosovës i kërkojnë institucioneve më të larta të vendit, që të ndalin degradimin e mëtutjeshëm të ambientit nga Mini Hidrocentralet dhe Hidrocentralet e vogla.
Shkatërrimi i vazhdueshëm i resurseve tona natyrore nga të gjithë ata që abuzojnë dhe shfrytëzojnë resurset e vendit për përfitime individuale, qofshin vendim-marrës apo investitorë, na shtyen të protestojmë dhe të premtojmë se nuk do të ndalemi. Argumentet e mbledhura dëshmojnë se nëse nuk veprojmë TASH dhe menjëherë, lumenjtë e Kosovës, si dhe popullata që jeton në afërsi të tyre, do të shkatërrohen dhe degradohen në pakthim.
 
Sot po ndërtohen hidrocentrale të vogla:

  • Në hapësirat e parqeve kombëtare, dhe zonat e mbrojtura me ligj, ku është rreptësisht e ndaluar
  • Pa dokumentacion të kompletuar ligjor dhe pa u konsultuar të gjitha palët e interesit
  • Që shkatërrojnë florën dhe faunën, devijojnë lumenjtë, reduktojnë dhe rrezikojnë furnizimin e popullatës me ujë, e shumë të tjera.


Mbledhja e nënshkrimeve do të zgjasë dy (2) javë dhe do të bëhet në shtatë komunat e mëdha të Kosovës përfshi edhe komunat përreth. Organizatat partenere në komunat e poshtëshënuara do të kenë pika të vendosjes për mbledhje të nënshkrimeve:
 
1. Instituti Demokratik i Kosovës  – Prishtinë
2. EC Ma Ndryshe – Prizren
3. Iniciativa për Progres INPO – Ferizaj – Gjilan - Shtërpce
4. REC Kosova – Mitrovicë
5. ERA Group – Pejë
6. KADC - Gjakovë
7. Organizata për Mbrojtjen e Mjedisit - GJETHI – Kaçanik – Hani i Elezit
8. Aktiv – Veri të Mitrovicës
 
Ftojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që ta nënshkruajnë peticionin në komunat ku ata jetojnë.