Lajmet

Aktivizmi në Komunitet

30 prill 2019

EC Ma Ndryshe ka filluar ciklin e katërt të Shkollës për aftësimin e të rinjve për aktivizëm në komunitet në kuadër të projektit ‘AktRural’. Shkolla ka tre module dhe është e dizajnuar në atë mënyrë që t’i ofrojë pjesëmarrësve një përvojë unike disa mujore të aplikimit të dijeve të fituara në praktikë, nën mbikëqyrjen dhe asistencën e mentorëve me përvojë në aktivizëm dhe mobilizim të komunitetit.

Në modulin e parë të këtij cikli 30 të rinjë nga komuna e Drenasit, Lipjanit, Mitrovicës, Obiliqit, Skënderajit dhe Vushtrrisë u informuan mbi teknikat e aktivizmit dhe metodat e mobilizimit. Para këtyre të rinjve nga Fisnik Minci është trajtuar tema "Metodat e hulumtimit, aktet ligjore dhe marrëdhëniet me publikun dhe median", ndërsa tema tjetër e elaboruar nga Ismet Potera ishte “Aktivizmi rinor dhe mjedisi” dhe “Vullnetarizmi & aktivizmi në mesin e të rinjve” nga Lulzim Hoti. Në këtë shkollë pjesëmarrësit janë asistuar nga mentorët në përpunimin e ideve fillestare për aktivizëm në komunitet. Në modulin vijues idetë e përzgjedhura të aktivizmit do të vihen në praktikë ndërkohë që në modulin e tretë dhe të fundit do të punohet mbi qëndrueshmërinë e tyre.

Organizimi i kësaj shkolle financohet nga projekti ‘Përkrahja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).