Lajmet

Prezantimi i projektit të rigjenerimit urban të rr. Marin Barleti

17 prill 2019

Sot, në DokuKino në Prizren është bërë prezantimi final mes donatorëve dhe partnerëve të projektit “Revitalizimi dhe integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal në rrugën Marin Barleti” në Qendrën Historike të Prizrenit.

Në prezantim është paraqitur zgjidhja përfundimtare e projektit për të gjitha 14 ndërtesat e trashëgimisë kulturore në këtë rrugë përfshirë edhe intervenimet në ndërtesat e reja si dhe planin e dizajnit urban të lagjes. Prezantimi është përmbyllur me ekspozitën e projektit.

Fjalimet hyrëse dhe përshëndetëse janë bërë nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit z. Kujtim Gashi, shkëlqësia e tij, Ambasadori Britanik në Prishtinë z. Ruairí O'Connell, zëvendës udhëheqësi për bashkëpunim nga Zyra e BE-së, z.Libor Chlad dhe kryetari i Komunës së Prizrenit z. Mytaher Haskuka. Prezantimi i projektit është bërë nga bashkë-koordinatorët e projektit z. Enes Toska nga EC Ma Ndryshe dhe Nora Arapi Krasniqi nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.

Qëllimi kryesor i projektit ka qenë krijimi i një shembulli pozitiv të rigjenerimit urban që do të ndikojë në ruajtjen e karakterit historik të qytetit dhe ofrimi i kushteve optimale për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe zhvillim të qëndrueshëm lokal. Ky projekt është udhëhequr nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe EC Ma Ndryshe, është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada Britanike në Prishtinë dhe është mbështetur nga Komuna e Prizrenit.