Lajmet

Rrënimi i shtëpive me vlera të trashëgimisë nuk ka të ndalur në Prizren

12 prill 2019Rrënimi i shtëpisë me vlerë historike në rrugën “Aleksandër Fleming” është një tjetër humbje e vlerave të trashëgimisë.

Së fundi në rrugën “Aleksandër Fleming” është bërë rrënimi i objektit me vlerë historike për të cilin janë kontaktuar zyrtarët e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren për t’u informuar nëse kanë pranuar ndonjë kërkesë në lidhje me kryerjen e këtyre punimeve, e përgjigja e ofruar nga ky institucion na lë në dijeni se këta të fundit kanë pranuar një kërkesë të tillë dhe kanë refuzuar dhënien e pëlqimit për zhvillimin e punimeve. Po ashtu edhe Këshilli për Trashëgimi Kulturore në përgjigjen e tyre zyrtare na njoftojnë se as këta të fundit nuk kanë lëshuar një pëlqim të tillë. Në anën tjetër Drejtoria Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në përgjigjen e saj zyrtare njofton se pronari nuk posedon leje për rrënim të këtij objekti. Inspektorët e Komunës së Prizrenit kishin bërë vendosjen e shiritave për ndalimin e punimeve por se pronari nuk e ka respektuar vendimin e tyre duke bërë mënjanimin e shiritave dhe duke kryer  punimet pa leje institucionale.

Duke e parë nga afër shkatërrimin e shumë objekteve me vlera  historike, EC  edhe një herë bën thirrje për ruajtjen e tyre, ndërsa kërkon nga institucionet përkatëse që shkatërruesit e këtyre vlerave t’i paraqesë tek organet e rendit.