Lajmet

Institucionet e nivelit lokal dhe qendror t’i unifikojnë veprimet për zbatim të ligjit dhe rend urbanistik në Prizren

26 dhjetor 2018

Institucionet e nivelit lokal dhe qendror të qeverisjes ende nuk i kanë unifikuar veprimet ndërmjet vete për vendosjen e rregullit dhe ligjit në aspektin urbanistik në Prizren, si në qendrën e mbrojtur me ligj ashtu edhe në pjesët tjera të qytetit.
 
Derisa autoritetet lokale kanë shprehur shqetësimin për ndërhyrjet e njëanshme të MMPH-së në raport me vendimet e Ekzekutivit të Prizrenit, në anën tjetër disa herë ka reaguar edhe QRTK-ja në Prizren, si organ i MKRS-së, duke pretenduar se Komuna e Prizrenit nuk i përfillë dispozitat ligjore lidhur me intervenimet dhe punët në Qendrën Historike të qytetit.
 
Ndërkohë Task Forca, që i mbledhë në një vend këto institucione dhe jo vetëm, e krijuar qysh në vitin 2014, për t’u marrë me ndërtimet e paligjshme në Qendrën Historike të Prizrenit, përgjatë vitesh nuk ka treguar ndonjë efikasitet të theksuar, duke mundësuar kështu vazhdimin e moskoordinimit institucional sa i përket zonës së mbrojtur të qytetit.
 
Më herët gjatë këtij viti, Komuna e Prizrenit përkatësisht Drejtoria e Inspektorateve ka reaguar me pretendimin se disa vendime të Zyrës Ligjore të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor janë të njëanshme dhe se shkojnë në mbrojtje të palëve që kanë bërë shkelje të ligjit, pastaj se janë të pazbatueshme dhe se e dëmtojnë interesin publik. Sipas këtij reagimi, Zyra ligjore e MMPH-së ka intervenuar në disa raste kur Komuna ka tentuar të zbatojë ligjin dhe rendin në sektorin e ndërtimit, duke iu mundësuar palëve që t’i vazhdojnë veprimtaritë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
 
Në bazë të informatave të siguruara nga zyrtarët e Komunës së Prizrenit, një rast i kësaj natyre ka ndodhur në një ndërtim në Qendrën Historike të Prizrenit, një rast tjetër në një ndërtim në lagjen “Jeni Mahalla”, dhe dy raste tjera në ndërtimet në rrugën “Tirana”.
 
Por, paralelisht edhe Komuna e Prizrenit akuzohet për shkelje ligjore nga zyrtarët e MKRS-së, veçmas lidhur me aktivitetet në Qendrën Historike të Prizrenit. MKRS ka vlerësuar se vitin 2018 e kanë përcjell disa dëmtime të aseteve të trashëgimisë kulturore si rezultat i mungesës së zbatimit të ligjit për TK dhe QHP  nga Komuna e Prizrenit. Sipas MKRS, Drejtoria e Urbanizmit edhe pse bazuar në dispozitat e ligjit për QHP-në obligohet që të gjitha kërkesat për projekte leje urbanistike, ndërtimi, rrënimi apo ndryshimi të objekteve, për ndërrim të destinimit të tyre, zhvillim të aktiviteteve të përkohshme apo çfarëdo zhvillimi tjetër brenda Qendrës Historike të Prizrenit, t’i dorëzoj në QRTK në Prizren dhe në Këshillin për Trashëgimi Kulturore, e njëjta i ka anashkaluar shumë herë këto procedura, me çka ka dëmtuar asetet e trashëgimisë kulturore në kuadër të Qendrës Historike. Kjo ministri ka vlerësuar se Komuna, duke i tejkaluar autorizimet ka ndërmarr veprime për ndërhyrje brenda QHP-së, duke rregulluar infrastrukturën pa marrë pëlqim nga institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore. Me këtë rast, MKRS ka kërkuar që të gjitha ndërhyrjet e Komunës së Prizrenit në QHP të jenë në koordinim të plotë me QRTK-në e Prizrenit dhe në përputhje me dispozitat e Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Ligjit për Trashëgimi Kulturore.
 
EC Ma Ndryshe konsideron se kjo situatë nuk i sjellë të mira Prizrenit, ngase pos moskoordinimit kemi të bëjmë edhe me mosrespektim të legjislacionit në fuqi. Një gjë e tillë sfidon aspektin e vënies së rregullit urbanistik dhe zbatimit të ligjit. Prandaj, EC i bën thirrje Komunës së Prizrenit, si dhe ministrive të lartpërmendura, që të ndërmarrin nisma për bashkërendimin e veprimeve me qëllim të vënies së rregullit urbanistik dhe zbatimit të ligjit. Si niveli lokal i qeverisjes, ashtu edhe ai qendror, duhet të bëjnë përpjekje për respektimin e legjislacionit, unifikimin e procedurave dhe koordinim më të mirë, me qëllim të ruajtjes së vlerave dhe interesit publik në Prizren.