Lajmet

Vazhdon moskoordinimi institucional për Qendrën Historike të Prizrenit

07 dhjetor 2018

Aktivitetet në Qendrën Historike të Prizrenit po vazhdojnë të ndodhin pa koordinim të institucioneve përgjegjëse lokale dhe qendrore.

Së fundi në Sheshin e Lidhjes është vendosur një kiosk për të cilin janë kontaktuar Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore dhe Këshilli i Trashëgimisë Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit për t’u informuar nëse kanë pranuar ndonjë kërkesë në lidhje me vendosjen e tij në këtë hapësirë dhe përgjigja e marrë nga ta na lë në dijeni se këta të fundit nuk kanë pranuar një kërkesë të tillë dhe se vendosja e kioskut ka ndodhur pa u pajisur me pëlqimin e QRTK-së dhe KTK-së. Në anën tjetër Drejtoria e Shërbimeve Publike në përgjigjen e saj zyrtare na njofton se investitorit në fjalë i është dhënë leja për shfrytëzimin e hapësirës publike për realizimin e projektit.

EC bën thirrje Komunës së Prizrenit, gjegjësisht DSHP t’i përmbahet ligjit i cili i obligon ato të kenë komunikim të mirëfilltë dhe bashkëpunim institucional në mënyrë që të parandalojnë intervenimet e tilla si vendosja e këtij kiosku në hapësira publike pa pëlqimin e institucioneve të trashëgimisë kulturore.