Lajmet

Rrezikohen gjurmët e fundit të historisë dhe trashëgimisë së Prishtinës!

03 tetor 2018

Ish shtëpia e mallrave “Gërmia” është njëra nga ndërtesat më ikonike të modernizmit në qytetin e Prishtinës dhe pjesë e kujtesës kolektive të saj. Sot kjo ndërtesë është në rrezik të rrënimit nën pretekstin e akomodimit të nevojave të një grupi të komunitetit artistik për ndërtimin e sallës koncertale në Prishtinë. EC Ma Ndryshe konsideron se procesi i përcaktimit të lokacionit për sallën koncertale është jotransparent për publikun dhe rrënimi evntual i ndërtesës së ish-Germisë për akomodimin e një funksioni të ri do të cënonte vlerat e trashëgimisë së qytetit të Prishtinës dhe është në kundërshtim me parimet univesale të trashëgimisë për mbrojtjen e shtresimeve historike të qyteteve.
 
Ish shtëpia e mallrave Gërmia, si për nga arkitektura ashtu edhe për nga momentumi shoqëror, paraqet një nga ndërtesat më të rëndësishme të Prishtinës së Pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo përfaqëson një nga shembujt (e mbetur) të trashëgimisë moderne të qytetit dhe për nga tipologjia funksionale, është qendra e parë tregtare në Prishtinë. Pastërtia gjeometrike e volumeve që formësojnë ndërtesën dhe tekstura tejet origjinale e fasadave të saj paraqesin vlera unike arkitektonike të cilat me doemos duhet të ruhen, për të shenjëzuar një periudhë të rëndësishme të arkitekturës kosovare, por edhe të zhvillimit shoqëror të Kosovës.
 
Duke pas parasysh vlerat historike, artistike, shkencore, shoqërore, edukative, ekonomike,  funksionale, raritetit dhe identitetit që bart kjo ndërtesë, dhe bazuar në raportet mediale se ndërtesa rrezikon të rrënohet për shkak të ndërtimit të sallës koncertale, EC Ma Ndryshe të premten e kaluar (më 28 shtator 2018) së bashku me DoCuMoMo Kosovo dhe organizata tjera të shoqërisë civile, kanë dorëzuar kërkesë për përfshirjen e ndërtesës së ish-Gërmisë në listën e Trashëgimisë Kulturore të mbrojtur pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe institucioneve vartëse të saj. Qëllimi i kësaj iniciative është që të jepet mundësia e diskutimit publik për rëndësinë e kësaj kategorie të ndërtesave, si dhe të ndërmerren veprimet e nevojshme institucionale për futjen e kësaj ndërtese në Listën e Aseteve Kulturore me Mbrojtje të Përhershme.
 
EC Ma Ndryshe përkujton që në bazë të ligjit në fuqi për Trashëgimi Kulturore Nr. 02/L-88 dhe Rregullores mbi Regjistrimin, Dokumentimin, Vlerësimin dhe Përzgjedhjen e Trashëgimisë për Mbrojtje Nr. 05/2008, çdo ndërtesë e propzuar për mbrojtje nga personat fizikë apo juridikë, me automatizëm gëzon statusin e mbrojtjes së përkohshme dhe hyn në proces të vlerësimit për mbrojtje të përhershme. Andaj EC vlerëson se nuk mund të ndërmerret asnjë veprim në ndërtesë derisa të perfundojë procesi i vlerësimit dhe të merret vendimi nga ana e komisionit të MKRS.    
 
EC Ma Ndryshe bashkë me organizatat tjera nënshkruese shprehin shqetësimin e thellë për shkatërrimin e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe kërkon nga Komuna e Prishtinës dhe të gjitha palët e tjera të interesit përfshirë edhe Zyren e Bashkimit Evropian në Kosovë, të mos ndërmarrin hapa të ngutshëm në raport me ndërtesën e ish shtëpisë së mallrave Gërmia, sepse humbja e vlerave të trashëgimisë është një proces i pakthyeshëm. Në vijim gjeni rekomandimet e EC-it drejtuar institucioneve relevante:

  • Kërkojmë urgjentisht nga Komuna e Prishtinës ta bëjë transparente punën e komisioneve dhe grupeve punuese për hartim të këtij projekti, si dhe të organizojë diskutim publik për këtë projekt kapital me interes publik.
  • Nuk e kundërshtojmë ndërtimin e sallës koncertale dhe akomodimit të nevojave të komunitetit artistik të Kosovës. Por kërkojmë nga Komuna e Prishtinës dhe Bashkimi Evropian (si bashkëfinancues të projektit) të argumentojnë arsyeshmërinë e përzgjedhjes së lokacionit të ndërtesës dhe lokacioni i përzgjedhur të mos cenojë vlerat e trashëgimisë kulturore duke zhdukur shtresimet historike të qytetit të Prishtinës.
  • Në bazë të ligjit në fuqi për Trashëgimi Kulturore Nr. 02/L-88, autoriteti i vetëm dhe final për përcaktimin e vlerave të trashëgimisë kulturore është Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe institucionet vartëse të saj, andaj ndërmarrja e çfarëdo veprimi duke konstatuar mungesën e vlerave të kësaj ndërtese është i pabazuar dhe jokompetent. I bëjmë thirrje MKRS që të përshpejtojë procesin e vlerësimit bazuar edhe në kërkesën tonë për shpallje të ndërtesës nën mbrojtje.
  • Në bazë të ligjit për Trashëgimi Kulturore Nr. 02/L-88 dhe Rregullores mbi Regjistrimin, Dokumentimin, Vlerësimin dhe Përzgjedhjen e Trashëgimisë për Mbrojtje Nr. 05/2008, çdo ndërtesë e propzuar përmbrojte nga personat fizikë apo juridikë, me automatizëm gëzon statusin e mbrojtjes së përkohshme dhe hyn në proces të vlersimit për mbrojtje të përhershme. Andaj vlerësojmë se nuk mund të ndërmerret asnjë veprim në ndërtesë derisa të perfundojë procesi i vlerësimit dhe të merret vendimi nga ana e komisionit të MKRS.