Lajmet

Qendra Historike e Prizrenit humb edhe një monument

29 nëntor 2017

Në Qendrën Historike të Prizrenit është rrënuar edhe një monument i trashëgimisë kulturore, i cili ka gëzuar mbrojtje ligjore. Monumenti i regjistruar si “Shtëpia e Bajram Sokolit” është rrënuar përkundër vendimit të lëshuar në muajin gusht nga autoritetet e trashëgimisë kulturore për ndërprerjen e punimeve në këtë objekt. 


Sipas informatave zyrtare të marra nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, Komisioni për vlerësim të projekteve restauruese-konservuese në kuadër të Institutit për Mbrojtje të Monumenteve të Kosovës në muajin korrik të këtij viti kishte miratuar kërkesën/projektin për renovimin/restaurimin e objektit shtëpi individuale për banim në ngastrën kadastrale 1910-0 në Prizren. Por më pastaj QRTK, pasi është informuar se në këtë shtëpi kanë nisur aktivitetet rrënuese ndonëse leja ka qenë për renovim, ka informuar IMMK-në dhe Komunën e Prizrenit për mosrespektimin e lejes së dhënë. Sipas QRTK më 22 gusht 2017 IMMK-ja ka pezulluar vendimin lidhur me projektin për renovimin/restaurimin e shtëpisë në fjalë. IMMK-ja gjithashtu ka urdhëruar ndërprerjen e punimeve në objektin në fjalë për shkak të punimeve të kryera në tejkalim të kushteve dhe kritereve të përcaktuara në projektin e aprovuar nga IMMK. Ky Institut gjithashtu ka theksuar se "çdo veprim që zhvillohet pas pranimit të këtij vendimi nga të gjitha palët, konsiderohet 'punë e pa autorizuar në trashëgiminë kulturore' - vepër kjo e ndëshkueshme. Në të njëjtën kohë IMMK ka autorizuar QRTK-në që të zhvillojë të gjitha procedurat përkatëse me Komunën e Prizrenit në mënyrë që të zbatohet ky vendim respektivisht të ndërpriten punimet.  Lexo komunikatën.