Lajmet

Vazhdojnë rrënimet pa leje në Qendrën Historike të Prizrenit

15 shkurt 2016

Rrënimet e objekteve që ndodhen brenda Qendrës Historike të Prizrenit, pa u pajisur me leje nga organet kompetente po vazhdojnë edhe në këtë vit. Rasti i fundit ka ndodhur para dy javësh në rrugën e Saraçëve, ku pala nuk ka përfillur kërkesat ligjore për ndërmarrjen e veprimit rrënues.

Në përgjigjen e Drejtorisë së Inspektorateve (DI), thuhet se Inspektori i ndërtimtarisë me datë 30 janar 2016, rreth orës 11:00 ka dalë në vendngjarje ku me prosecverbal ka konstatuar se pronari ka rrënuar në tërësi objektin (P+0) me sipërfaqe 40 metra katrorë. “Objekti është në kuadër të zonës historike, ndërsa rrënimi është bërë pa u pajisur me leje nga organi kompetent”, thuhet në shkresën e DI-së. Ky dikaster ka pohuar se në të njëjtën datë, rreth orës 14:00, Inspektori i ndërtimtarisë ka konstatuar se edhe pas urdhrit të dhënë, “i njëjti pronar ka vazhduar me rrënimin e objekteve katshmëria P+1, sipërfaqja 25 metra katrorë...”. “Për rrënimet e kryera pronari nuk posedon leje për rrënim ashtu që konform UA 20/2013, pronarit i shqiptohen dy dënime mandatore nga 500 euro dhe ndërmerren procedurat e tjera në bazë të kompetencave dhe ligjeve në fuqi”, thuhet në përgjigjen e DI-së. Lexo komunikatën.