Lajmet

Emërtimi i rrugëve në komunat e Kosovës dëshmon diskriminimin gjinor

05 korrik 2021

Dispozitat e Kushtetutës përkufizojnë se Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të grave dhe burrave në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore.

Ndërkohë edhe Ligji për Barazinë Gjinore garanton, mbron dhe promovon barazinë midis gjinive, si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë. Neni 5 i këtij ligji që përkufizon masat e përgjithshme për parandalimin e diskriminimit gjinor dhe sigurimin e barazisë gjinore përshkruan një numër masash që duhen zbatuar nga institucionet e të gjitha niveleve me qëllim të parandalimit dhe eliminimit të diskriminimit gjinor si dhe arritjes së barazisë gjinore, ku ndër të tjera përfshihet edhe marrja parasysh e barazisë gjinore në rastin e emërtimit të institucioneve, shkollave e rrugëve.

Mirëpo, emërtimi i rrugëve në komunat e Kosovës ofron dëshmi për diskriminimin gjinor, pasi më pak se 4% të rrugëve në Kosovë mbajnë emra grash.

Në bazë të listës së siguruar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës del se në 32 komuna të Kosovës nga 21,508 rrugë, 13,840 mbajnë emra burrash ose 57,3%, dhe vetëm 707 ose 3.6% mbajnë emra grash, derisa 6,961 ose 39.1% mbajnë emra tjerë (emërtimet e rrugëve që nuk kanë përcaktim gjinor individual, sikurse \"Demokracia\", \"Gjeravica\", \"8 marsi\", \"Mirusha\", \"Tirana\", etj.).

Sa i përket 7 komunave të mëdha të Kosovës, nga 8,904 emra të rrugëve, 6,072 ose 69.1% mbajnë emra burrash, derisa 373 ose 4.1% kanë emra grash dhe 2,459 ose 26.8% mbajnë emra tjerë. Nga 7 komunat me territor e numër më të madh të rrugëve, vetëm Gjilani (7,7%), Prishtina (5,5%), dhe Peja (4,3%) e tejkalojnë mesataren e Kosovës (3,6%). Nga komunat me territor e numër më të vogël të rrugëve, vërehet një përqindje më e madhe se mesatarja e Kosovës në komunat: Ranilug (12,1%), Graçanicë (8,3%), Shtërpcë (8,2%), Kaçanik (5,8%), Kllokot (5,6%), Rahovec e Shtime (4,6%) dhe Fushë Kosovë (4,1%).  

Emërtimi i rrugëve dihet se është një proces delikat, mirëpo duhet të kihet parasysh edhe fakti se diskriminimi gjinor është frenues i zhvillimit.

Prandaj, rekomandimi për autoritetet dhe organet komunale është që aspektin e barazisë gjinore ta kenë parasysh gjithmonë, në çdo vendimmarrje, ashtu që të shmanget çfarëdo lloj diskriminimi. Gjithashtu rekomandohen të gjitha komisionet përkatëse komunale që lidhur me këtë çështje të respektojnë dispozitat e Ligjit për Barazi Gjinore, ashtu që të merret parasysh barazia gjinore jo vetëm në rastin e rrugëve, rrugicave e shesheve por edhe në rastin e emërtimit të institucioneve, shkollave e rrugëve.

Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida).