Lajmet

Gurthyesit - Shkatërrues të ambientit dhe shëndetit publik

05 tetor 2020

Gurthyesit në Kosovë janë shndërruar në veprimtari destruktivo-ambientale të cilat gjatë operimit janë duke shkaktuar pasoja të mëdha dhe të pariparueshme. Degradimi i tokës, rrëshqitja e dherave, ndotja e ujërave, ndotja e ajrit dhe ndotja nga zhurma janë disa nga efektet që çojnë në probleme të lidhura drejtpërdrejtë me shëndetin e njeriut dhe humbjen e biodiversitetit.

Gurthyesit si veprimtari të shpeshta në Kosovë janë kontaminues të rrezikshëm të cilët lirshëm po vënë në rrezik jetën e egër dhe popullatat lokale, përderisa institucionet vazhdojnë të japin leje dhe pastaj të heshtin për veprimtarinë degraduese të këtyre operuesve.

Ndikimi negativ i gurthyesve në ambient është enorm. Ata po ndryshojnë negativisht ekosistemet me një theks të veçantë regjimet hidrogjeologjike dhe hidrologjike. Ky ndikim i pafavorshëm i gurthyesve shkakton prishjen e rrjedhave të ujërave nëntokësore, humbjen e tokës pjellore, degradimin e pyjeve, përkeqësimin e biodiversitetit dhe shëndetit publik; sëmundje të lidhura me pluhurin, sëmundje të lëkurës, astma dhe humbja e dëgjimit e shkaktuar nga zhurma.

Dihet që gurthyesit lëshojnë grimca tepër të rrezikshme në ajër. Janë të renditur deri në 100 ndotës të ndryshëm të ajrit që lirohen nga veprimtaria e kësaj industrie, duke përfshirë grimcat e pluhurit dhe dioksidin e sulfurit, të cilat krijojnë edhe reshjet acidike.

Në Kosovë gurthyesit janë rritur shumë në numër gjatë viteve të fundit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), numri i operatorëve që merren me aktivitetin e shfrytëzimit dhe përpunimit të gurëve (guroret) është rreth 140. (Ndërtimi.info,2019).

Në bazë të analizës "Pyje për asfalt" ku trajtohen 17 raste del se janë mihur mbi 431 hektarë, nga të cilat mbi 125 hektar pyje janë degraduar totalisht, dhe përkundrejt kërkesave ligjore, ato nuk po ri-kultivohen. (kdi-kosova.org).

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) gjatë vitit 2019 kishte kryer inspektime të rregullta, dhe me këtë rast kishte identifikuar 194 raste (biznese/individë) që merren me pasurimin e lëndës minerale: si separacion i rërës dhe zhavorrit e ndër ta edhe separacion me gurëthyes. (zka-rks.org).

Ankesat e banorëve të cilët jetojnë në afërsi të këtyre gurthyesve kanë qenë të vazhdueshme dhe në shumicën e rasteve ato janë injoruar nga institucionet lokale dhe qendrore. Ashtu siç raporton Ndertimi.info në vitin 2018, rasti i banorëve të zonës së Bjeshkëve të Nemuna tregon pikërisht injorimin institucional ndaj shqetësimeve të banorëve. Me gjithë kundërshtimin e tyre për shkatërrimin e natyrës së fshatit Vrellë që gjendet në zonën e Parkut Kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna institucionet nuk ishin treguar efektive për ta ndaluar veprimtarinë në këtë zonë të mbrojtur me ligj dhe banorët vazhdonin të mos kenë jetesë normale nga pluhuri, zhurma dhe humnerat e krijuara. Madje këto humnera të krijuara si rezultat i gërmimeve nga gurthyesit mbesin të pa mbikëqyrura dhe janë potencial i ndodhisë së ndonjë fatkeqësie; ashtu edhe siç kishte humbur jetën një banor i kësaj komune në vitin 2018 e përgjegjësinë nuk e kishte marrë askush.

Aktivitetet eksploatuese pa respektim të konditave për mbrojtjen e ambientit kanë ndodhur vazhdimisht edhe në lumenjtë e Kosovës. Nxjerrja e zhavorit nga lumi Dri është një shembull se si ky shtrat i lumit është degraduar duke u shndërruar nga një atraksion turistik në një zonë të rrezikshme për banorët përreth.

Banorët që jetojnë pranë gurthyesve anekënd Kosovës kanë shfaqur shumë herë shqetësimin e tyre përmes reagimeve publike dhe protestave. Ata janë shprehur se për ta është vështirësuar jetesa për shkak të zhurmës së padurueshme dhe pluhurit të madh. Kjo veprimtari përveç që po rezulton me ndryshim të relievit që ka ekzistuar për miliona vite si i tillë edhe po dëmton shëndetin e banorëve duke i ekspozuar ata ndaj sëmundjeve të shumta kancerogjene.

Nga ajo që mund të vrojtohet lirshëm me sy në teren gjelbërimi është komplet i degraduar dhe habitati i kafshëve është zhdukur tërësisht nga ajo zonë.

Gurthyesit sipas ligjit janë të obliguar që zonat e eksploatuara t’i rehabilitojnë në të ardhmen përmes mbjelljes së gjelbërimit mirëpo kjo deri më sot s’ka ndodhur. Është e çuditshme se si këto veprimtari me pasoja të pariparueshme po ndodhin me leje dhe pëlqim të komunave, Ministrisë së Mjedisit dhe Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

Duke e parë që gjendemi në një situatë alarmante ne rekomandojmë që:
1.    Urgjentisht institucionet të monitorojnë veprimtarinë e gurthyesve të cilët posedojnë leje dhe të evidentohen shkeljet duke i proceduar ato drejtë institucioneve të drejtësisë;
2.    Gurthyesve të cilët veprojnë në mënyrë ilegale t'iu ndalet veprimtaria dhe të ballafaqohen me konsekuencat ligjore;
3.    Institucionet të veprojnë në përputhje me kornizën ligjore në dhënie të lejeve;
4.    Të organizohen takime konsultuese me komunitetin e banorëve dhe profesionistëve, dhe pa pëlqimin e tyre të mos lejohet asnjë veprimtari e gurthyesve;
5.    Të zhvillohet një plan aksional që dëmet e shkaktuara tashmë të riparohen përmes një aksioni mbarështetëror të mbjelljes së fidaneve, duke i obliguar operatorët që të mbjellin gjelbërim për rehabilitimin e zonave të eksploatuara.


Ky artikull është shkrua nga EC Ma Ndryshe, mbeshtetur nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, (Sida) përmes Programit të saj “Human Rightivism” që implementohet nga Community Development Fund – CDF. Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura këtu nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtarë të donatorëve.