Lajmet

A duhet ta prekim Lumbardhin?

07 qershor 2019

EC Ma Ndryshe në bashkëpunim me Bunarfest dhe Klubin e Ambientit “Luciano Motroni” sot ka organizuar tryezën e diskutimit “A duhet ta prekim Lumbardhin?”, ku panelistë ishin Edison Kasumaj - Ekolog, Dren Marseli – OJQ “X40” dhe Muhamet Bajrami nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Prizren.

Debati kishte për qëllim që të prezentojë gjendjen ekzistuese të lumit Lumbardh në Prizren, sfidat dhe kauzën e festivalit Bunar Fest dhe mënyrave se si do të duhej të trajtohej një habitat i tillë i lumenjve duke mos shkaktuar dëme ndaj florës dhe faunës.

Fillimisht Dren Marseli prezentoi festivalin Bunarfest dhe sfidat me të cilat ballafaqohet ky organizim si pasojë e gjendjes ekzistuese të lumit nga prezenca e mbeturinave dhe ndërhyrjeve të realizuara në të duke ngjallur debatin mbi mënyrat e intervenimit dhe gjithpërfshirjes në marrjen e vendimeve për ndërhyrje të tilla. Në anën tjetër ekologu Edison Kasumaj para të pranishmëve prezentoi anën profesionale të trajtimit të ujrave të tilla duke sjellur shembuj aktual të intervenimeve që kanë zënë vend në Kosovë deri tani, dhe duke sjellur një pasqyrë të përgjithshme të gjendjes së ujrave të vendit tonë. Përfaqësuesi i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dha informata se si është trajtuar dhe monitoruar Lumbardhi deri më sot, planet e komunës, dhe mënyrave se si do të duhej të vetëdijësohej komuniteti i gjerë mbi mirëmbajtjen e lumit.

Në audiencën e këtij debati të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve komunale, shoqërisë civile, media, student dhe përfaqësues të Klubeve të Ambientit nga shkolla “Luciano Motroni” dhe gjimnazi “Gjon Buzuku”.

Meqenëse kjo tryezë e diskutimit është fillimi i një serie të debateve për Lumbardhin në mënyrë që të ketë një gjithëpërfshirje në vendimmarje për trajtimin e shtratit të këtij lumi dhe arritjes së zgjidhjeve për mirëmbajtjen e tij, atëherë përfaqësuesit e Klubeve të Ambientit nga shkolla “Luciano Motroni” dhe gjimnazi “Gjon Buzuku” u pajtuan që të vazhdojnë një bashkëpunim për realizimin e një hulumtimi mbi gjendjen e Lumbardhit dhe në serinë tjetër të diskutimit të jenë panelistët që do të prezentojnë të gjeturat.

Ky aktivitet është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).