Lajmet

Përmbyllja e Konferencës ‘’Trashëgimia dhe Komunitetet - përvoja e PDKK’’

28 maj 2015

Sot, në praninë e përfaqësuesve të insitucioneve të nivelit qendror dhe lokal, përfaqësuesve të Këshillit të Evropës, zyrës së Bashkimit Evropian, përfaqësuesve të shumë ambasadave dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, është bërë përmbyllja e projektit ‘’Përkrahje për Promovimin e Diversitetit Kulturor’’, PDKK.

Ceremonia përmbyllëse e projektit ka finalizuar edhe konferencën dy ditore ‘’Trashëgimia dhe Komunitetet-përvojat e PDKK’’. Në ditën përmbyllëse të kësaj konference janë veçuar të arriturat konkrete të PDKK-së dhe kontributin që ky  projekt ka dhënë për promovimin e integrimit të standardeve evropiane dhe ndërkombëtare në fushën e trashëgimisë kulturore. Gjithashtu gjatë prezentimit të përvojave të këtij projekti është potencuar rëndësia e pjesëmarrjes demokratike, proceset e bazuara në komunitet dhe promovimin e diversitetit si rezultate të shënuara gjatë 5 viteve të implementimit të këtij projekti.

Antëtarë të grupeve punuese, përfaqësues të insititucioneve dhe organizatat jo-qeveritare partnere të këtij projekti në rajone të caktuara, kanë ndarë para të pranishmëve përvojat e tyre dhe arritjet e shënuara përmes PDKK.

Konferenca është përmbyllur me rekomandime konkrete, të lidhura ngusht me mundësinë e shfrytëzimit të përvojave të mira të këtij projekti edhe në të ardhmen, adaptimit të planit rajonal të trashëgimisë, përfshirjes së trashëgimisë kulturore në kurrikulën shkollore, më shumë përfshirje të komunitetit në proceset e promovimit të vlerave të trashëgimisë etj.

Programi për Trashëgimi dhe Diversitet i krijuar së fundmi nga projekti i PDKK është thënë të jetë njëri prej mekanizmave se si konkretisht rezultatet e arritura në këtë 5 vjetësh do të mund të përcilleshin në përvoja të reja dhe konkrete.