Rrjetëzimi dhe bashkëpunimi

Rrjetëzimi dhe bashkëpunimi

Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren (RrOK Prizren), është rrjet joformal i organizatave të kulturës në komunën e Prizrenit. Misioni i këtij Rrjeti është arritja e një ekonomie të zhvilluar lokale në Prizren përmes pasurimit dhe strukturimit të ofertës turistike bazuar në rritjen e cilësisë dhe vëllimit të aktiviteteve kulturore. Momentalisht, EC Ma Ndryshe kordinon sekretariatin e Rrjetit përmes të cilit në bashkëpunim me organizatat tjera anëtarë, është i angazhuar në një dialog të strukturuar me qeverinë lokale të Prizrenit për të nxitur zhvillimin e politikave lokale kulturore.

Paralelisht me punën e saj në politikat lokale kulturore, EC Ma Ndryshe është njëra nga themelueset e Forumit Kulturor (Rrjeti i organizatave të pavarura kulturore të Kosovës), i cili promovon politikat kulturore në nivelin qendror. Aktiviteti konkret i Forumit Kulturor është avokimi për Strategjinë Shtetërore Kulturore të Kosovës, si një dokument udhërrëfyes për zhvillimin e politikave kulturore.

EC Ma Ndryshe është anëtare dhe njëra nga themelueset e rrjetit më të fuqishëm rajonal të trashëgimisë kulturore South East European Heritage Network. Anëtarë të këtij rrjeti janë organizatat më të fuqishme të shteteve të Ballkanit që veprojnë në fushën e trashëgimisë kulturore. EC Ma Ndryshe është aktive në projekte të bashkëpunimit rajonal, të cilat kanë lindur nga veprimtaria e rrjetit dhe bashkëpunon me një numër të madh organizatash rajonale.

EC Ma Ndryshe poashtu është themeluese e Forumit të Trashëgimisë Kulturore të Prizrenit, ku përfaqësohen të gjitha organizatat dhe institucionet kulturore të Prizrenit. Forumi ka krijuar një platformë bashkëpunimi jo vetëm mes OJQ-ve të qytetit, por edhe mes sektorit të shoqërisë civile dhe institucioneve shtetërore, duke shërbyer si mjet efikas për adresimin e çështjeve të ndieshme të qytetit.

Gjithashtu, EC Ma Ndryshe është anëtare e Platformës Civikos, rrjetit më të madh të organizatave jo-qeveritare që janë të angazhuara në dialogun mes sektorit të shoqërisë civile dhe qeverisë.