Lajmet

Shtëpitë tradicionale vazhdojnë të shndërrohen në parkingje

08 gusht 2018

Kryetari Mytaher Haskuka në dhjetor të vitit të kaluar kishte reaguar lidhur me rrënimet e shtëpive të vjetra tradicionale, specifikisht në rastin e rrënimit të shtëpisë së Familjes Myftiu, duke premtuar që në ato hapësira ku gjindeshin këto shtëpi nuk do të lejohet ndërtimi i objekteve shumëkatëshe apo operimi i parkingjeve - njëkohësisht duke e bërë të ditur që në këto vende nuk do të jepet leje për asnjë aktivitet ekonomik.  Këto ditë pikërisht hapësira ku gjendej kjo shtëpi është shndërruar në parking dhe zhvillon lirshëm aktivitete ekonomike.


Që nga ajo kohë në qytetin e Prizrenit trendi i shkatërrimit të këtyre vlerave ka vazhduar dhe numri i parkingjeve në këto prona është rritur. Deri tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret për ndalimin e zhvillimit të aktiviteteve fitimprurëse në këto hapësira nga ku janë zhdukur vlera të trashëgimisë kulturore.


Vazhdimin e këtyre aktiviteteve ilegale në Qendrën Historike të Prizrenit EC Ma Ndryshe e konsideron si një dështim të kryetarit Haskuka në përmbushjen e premtimeve të dhëna, prandaj EC i bën thirrje kryetarit që të mbajë fjalën e dhënë duke përmbushur njëkohësisht edhe obligimet e tij ligjore si kryetar i komunës.