Lajmet

Banorët e rrugës "Marin Barleti" adresojnë sfidat e lagjes

13 qershor 2018

Në fillim të kësaj jave është mbajtur punëtoria dy ditore në kuadër të aktiviteteve të projektit të “Revitalizimit dhe integrimit socio-ekonomik të komunitetit lokal në rrugën Marin Barleti”.

Punëtoria e mbajtur më 11 e 12 Qershor 2018 dhe e bashkorganizuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe EC Ma Ndryshe kishte për qëllim njoftimin e banorëve të rrugës "Marin Barleti" rreth gjendjes ekzistuese në terren si dhe adresimi i sfidave të identifikuara.

Gjatë punëtorisë ekspertët e angazhuar në projekt kanë prezantuar gjetjet, hulumtimet dhe propozimet preliminare në tri fusha tematike: trashëgimi kulturore, planifikim urban dhe zhvillim socio-ekonomik. Prezantimet u pasuan me pyetje, sygjerime e rekomandime të numërta nga banorët e lagjes. Kjo punëtori u përmbyll me diskutimin mbi hapat e mëtutjeshëm, gjegjësisht fazën e projekt propozimit ku do të diskutohen detajisht zgjidhjet e ofruara në projekt.

Projekti “Revitalizimi dhe integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal në rrugën Marin Barleti” koordinohet nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe EC Ma Ndryshe, përderisa financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve të Kosovës, zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada Britanike përmes Këshillit Danez për Refugjatë (DRC) dhe mbështetet nga Komuna e Prizrenit. Qëllimi kryesor i projektit është krijimi i një shembulli pozitiv të rigjenerimit urban që do të ndikojë në ruajtjen e karakterit historik të qytetit dhe ofrimi i kushteve optimale për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe zhvillim të qëndrueshëm.