Lajmet

Prizreni, "qytet muze" pa muze

08 qershor 2018

EC Ma Ndryshe ka publikuar hulumtimin “Prizreni, ‘qytet muze’ pa muze”, në kuadër të së cilit ështe pasqyruar gjendja ekzistuese e gjithsej gjashtë muzeve të qytetit të Prizrenit dhe janë adresuar çështje që kanë të bëjnë me funksionimin e tyre. Duke qenë se shumica e muzeve në Prizren janë ose të mbyllur ose të panjohur për publikun e gjerë, atëherë EC ka marrë si iniciative këtë hulumtim me qëllim të prezantimit të gjendjes momentale  dhe sjelljes së rekomandimeve konkrete për ringjalljen dhe promovimin e këtyre institucioneve kulturore. Në këtë hulumtim janë analizuar poashtu edhe praktikat muzeve të tjerë në nivel vendor, rajonal dhe ndërkombëtar në mënyrë që të sillen shembuj të tjerë që mund të shërbejnë si praktika pozitive të cilat mund të aplikohen nga muzetë e qytetit të Prizrenit.


Qyteti i Prizrenit, krahas epitetit të kryeqytetit kulturor të Kosovës, sipas perceptimit të përgjithshëm të publikut kosovar është qytet me vlera të lashta kulturore dhe historike dhe mban edhe epitetin e “Qytetit muze”. Ky epitet domosdoshmërisht reflekton ruajtjen e strukturës së saj historike dhe rrjedhimisht nënkupton edhe promovimin e kësaj pasurie tek publiku i gjërë. Një nga mjetet e promovimit të kësaj pasurie të Prizrenit janë edhe muzetë që mes tjerash kanë po këtë mision. Mirëpo a e meriton një epitet të tillë sot Prizreni? Sa muze sot gjenden në Prizren dhe sa prej tyre janë funksionale e të hapura për publik? Në çfarë gjendje janë dhe çfarë ofrojnë muzetë e këtij qyteti? Sa reflektohet diversiteti kulturor i këtij qyteti në muzetë e saj? Lexo komunikatën dhe hulumtimin.